Osmani e Keller-Sutter ngrenë dolli për partneritetin mes shteteve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë ka marrë pjesë në darkën shtetërore të organizuar nga presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal zviceran.

Në këtë ngjarje solemne, ku ishin të pranishëm edhe shumë pjesëtarë të mërgatës shqiptare, u ngrit dolli për miqësinë mes dy popujve dhe të ardhmen e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

“Mbrëmë, në Darkën Shtetërore të organizuar nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal zviceran, së bashku me shumë pjesëtarë të mërgatës sonë, ngremë dolli për miqësinë mes popujve tanë dhe për të ardhmen e partneritetit në mes shteteve tona”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

Ndërkohë në kuadër të vizitës zyrtare në Zvicër, sot në ditën e dytë  Osmani do të ketë disa aktivitete.

Vizitë në kompaninë “Stadler Rail” në St. Galle e pastaj pritet të vizitojë Universitetin e St. Gallen.

Pasdite presidentja Osmani pritet të takohet në Gjenevë me Marko Ahtisaarin, kryetar i Bordit të Fondacionit për Paqe CMI Martti Ahtisaari.

Është kjo vizita e parë e një presidenti të Kosovës në Zvicër me ftesë të presidentit të këtij shteti. /Kosova.info/


Go to TOP