Osmani: 2026-ta na gjen me synime të qarta për një Kosovë më të sigurt, më të drejtë dhe më të zhvilluar
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë urimin e saj për Vitin e Ri 2026 duke reflektuar mbi vitin që po lëmë pas dhe duke shpalosur vizionin për vitin e ardhshëm.
Në mesazhin drejtuar qytetarëve të Kosovës dhe bashkatdhetarëve kudo që ndodhen, Osmani theksoi se viti që po mbyllet ka qenë i mbushur me punë, vendime të rëndësishme dhe sfida, por edhe me dëshmi të qarta të forcës së shtetit dhe shoqërisë kosovare.
Presidentja vlerësoi se Kosova ka ecur përpara kur ka vepruar me vendosmëri, vlera dhe unitet duke forcuar pozitën e saj ndërkombëtare duke mbrojtur rendin kushtetues dhe interesin shtetëror, si dhe duke avancuar aleancat me partnerët strategjikë. Sipas saj, Kosova është shndërruar në një shtet të pranishëm, të dëgjuar dhe të respektuar në arenën ndërkombëtare, si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie.
Osmani theksoi se vendi ka qëndruar i palëkundur përballë përpjekjeve destabilizuese, ndërkohë që brenda ka vazhduar ndërtimi i një shoqërie më të drejtë, me të drejta të njeriut, barazi dhe dinjitet si themele të përbashkëta.
Duke folur për sfidat e vitit 2025, presidentja pranoi se ka pasur vështirësi, përfshirë vonesat në themelimin e institucioneve, por theksoi se këto sfida e kanë forcuar Kosovën dhe e kanë përgatitur për të ecur përpara me më shumë besim dhe përgjegjësi.
Ajo vlerësoi gjithashtu kontributin e qytetarëve, punëtorëve, policëve, ushtarakëve, mësuesve, mjekëve, të rinjve inovativë, grave dhe vajzave, si dhe mërgatës duke i cilësuar ata si shtylla të demokracisë dhe zhvillimit të vendit.
Presidentja Osmani theksoi se viti 2026 sjell përgjegjësi të reja dhe synime të qarta për një Kosovë më të sigurt, më të drejtë, më të integruar dhe më të zhvilluar, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe institucionet janë gjithmonë në shërbim të qytetarëve.
Në fund, ajo uroi shëndet, paqe dhe begati për të gjithë qytetarët duke shprehur bindjen se viti 2026 do të jetë vit bashkëpunimi, përgjegjësie dhe suksesi për secilin dhe për Republikën e Kosovës.
“Le ta nisim vitin e ri me besim në vete, në njëri-tjetrin dhe në Kosovën tonë”, përfundoi Osmani duke uruar Gëzuar Vitin e Ri 2026. /Kosova.info/
