Orkestra dhe bendi i Festivalit të Këngës në RTK nisin provat

Përderisa kanë mbetur më pak se 20 ditë nga fillimi i edicionit të tretë të Festivalit të Këngës, Orkestra dhe bendi kanë nisur me provat. Artistët garues po u japin zë këngëve të tyre, ndërkaq në programin përtej garës, organizatorët kanë dedikuar një pjesë të veçantë për këngët e vjetra.

Secili nga instrumentistët plotësojnë mozaikun muzikor. Orkestra dhe bendi i Festivalit të Këngës kanë filluar me provat për edicionin e tretë bashkë me artistët garues.

Linda Isufi është në mesin e dirigjentëve të ngjarjes, bashkë me Alfred Kaçinarin e Memli Kelmendin.

”Ky festival është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore në Kosovë . Është festivali ku përformojnë artistë të  dëshmuar. Festivali kaluar ka pasure emra të dëshmuar të skenës , e edhe këtë vit ka mjaft prurje të këngëve ku është bërë një përzgjedhje e mirë dhe janë zgjedhur këngë  të cilat janë artistikisht në nivel të lartë”, tha Isufi.  

Përveç 20 këngëve garuese, programi do të jetë i larmishëm edhe me këngë të vjetra shqipe. Një rrugëtim muzikor me këngët që i kanë mbijetuar viteve do të ndjehet përgjatë tri netëve të Festivalit.

“Çka kemi sivjet është tema e festivalit, e cila ka të bëjë me trashëgiminë e artit muzikor në Kosovë. Jemi  duke e shfrytëzuar Festivalin për ta kthyer kokën prapa  për me dhanë mirënjohje për arritjet e shumta që janë bërë ndër dekada  prej institucioneve, platformave dhe individëve në fushën e këngës në Kosovë”, tha Genc Salihu, skenarist.

Edhe moderatorët Dukagjin Podrimja e Rina Krasniqi kanë nisur me përgatitjet e tyre.

Ndërkaq producentja ekzekutive, Arta Avdiu, thekson një anë tjetër të realizimit të festivalit.

“Realizimi i këtij edicioni të Festivalit të Këngës, nuk do të mundësohej pa nënshkrimin e marrëveshjes  se ministrit Çeku në vitin 2023 dhe që nga ajo kohë është mundësuar realizimi i edicionit të parë, të dytë dhe kësaj here po e bëjmë edhe edicionin e tretë  të Festivalit  të Këngës. Kësaj nisme të mbështetjes i është bashkuar edhe Komuna e Prishtinës, por gjithashtu edhe komuniteti  artistik. Theksoi se në edhe në edicionin e parë kemi pasur artistë dhe prezantues siç është Besim Dina, Dafina Zeqiri, Yll Limani të cilët kanë kontribuar me madhështinë e tyre dhe pa asnjë kosto. Kjo tregon një etshmëri që kemi pasur si shoqëri  e Kosovës për ta pasur edhe ne një edicion të festivalit ashtu siç e kemi të këtyre përmasave”, tha Avdiu .

Më pak se 20 ditë na ndajnë nga Festivali i Këngës, i cili do të mbahet më 6,7 dhe 8 nëntor.


Go to TOP