Opozita në Serbi me kritika të ashpra ndaj shkuarjes së Daçiqit në Moskë

Pavarësisht shumë thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Serbia të ndërrojë qasje politike karshi Rusisë, përkundrazi po i forcon marrëdhëniet me Rusinë. Këtë e ka argumentuar edhe vizita e sotme e Ivica Daçiqit si ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë në Moskë, ku u prit nga homologut i tij rusë, Sergej Lavrov. Temë e këtij takimi ishte edhe Kosova.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë janë në nivel të lartë dhe po përmirësohen. Kjo u bë e ditur ne takimin e zëvendëskryeministrit të Serbisë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov në Moskë.

Ata të dy po ndjekin edhe ndeshjen miqësore të futbollit të Rusisë dhe Serbisë, e cila është shteti i parë evropian që luan në Rusi pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës. Kjo qasje e qeverisë aktuale ndaj Moskës, për opozitën do të thotë largim nga integrimi evropian.

“Sllobodan Millosheviqi dhe Vojislav Sheshel janë baballarët politikë të Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit, kështu që kur e shihni Daçiqin duke shkuar me gëzim te Lavrov, si i vetmi ministër evropian, ose kur Vuçiq përqafon rregullisht Harçenkon, kuptojmë se Serbia po shtyhet gjithnjë e më shumë në humnerë të izolimit”, ka theksuar Borko Stefanoviq nga Partia për Liri dhe Drejtësi.

Opozita pro-evropiane vlerëson se ngrohtësia politike e Vuçiqit me Putinin bazohet në bashkëpunimin e dy njerëzve me qëndrimin e njëjtë ndaj opozitës, zgjedhjet jo të lira, presionin ndaj medieve dhe ndaj oponentëve. Gjithashtu, sipas ekspertëve, kur bëhet fjalë për Kosovën, Serbia po mbështetet në Rusi, duke u distancuar kështu nga Perëndimi.

“Tani kemi një situatë ku politika serbe po shkon drejt Rusisë, ndërsa problemet tona janë te lidhura me Perëndimin. Kjo është një enigmë e pazgjidhshme dhe nuk mund të na sjellë asnjë dobi në aspektin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, sepse Rusia praktikisht e përjashtoi veten prej asaj çështje. Pra, situata në kuptimin ndërkombëtar po përkeqësohet, veçanërisht në marrëdhëniet me BE-në dhe ShBA-në”, ka thënë ish-ambasadori, Sreqko Gjukiq.

Një pjesë e publikut thekson se Vuçiq, si i vetmi president evropian që e uroi Putinin për fitoren e zgjedhjeve, i shkaktoi dëm Serbisë. Një lëvizje e tillë shihet si largim nga vlerat evropiane, du ke injoruar Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare.

Go to TOP