OJQ “Mendje” me pesë rekomandime për përmirësimin e shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë

Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, organizata “Mendje” ka adresuar pesë rekomandime kryesore për përmirësimin e shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë, duke theksuar se shëndeti mendor duhet të trajtohet si pjesë thelbësore e shëndetit publik dhe mirëqenies së përgjithshme të shoqërisë.

Në deklaratën e saj, organizata rikujton se kjo ditë shërben si një kujtesë e fuqishme se “nuk ka shëndet pa shëndet mendor”, ndërsa këtë vit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka përqendruar vëmendjen në mbështetjen e individëve të prekur nga emergjencat humanitare dhe nevojat e tyre psikosociale.

Sipas OBSH-së, gjatë krizave të tilla si konfliktet, pandemitë apo fatkeqësitë natyrore, një në pesë persona përballet me sfida të shëndetit mendor. Prandaj, “Mendje” thekson se mbështetja e mirëqenies emocionale në këto situata nuk është vetëm një akt humanitar, por edhe një mënyrë për të shpëtuar jetë dhe për të forcuar komunitetet.

Në këtë frymë, organizata u bën thirrje institucioneve publike, profesionistëve të kujdesit shëndetësor e social, stafit arsimor dhe grupeve të komunitetit që të angazhohen në mënyrë të përbashkët e të qëndrueshme për avancimin e politikave dhe praktikave në këtë fushë.

“Mendje” ka paraqitur pesë rekomandime kryesore:

  1. Zhvillimi i shërbimeve gjithëpërfshirëse të shëndetit mendor – që sigurojnë qasje të barabartë, cilësore dhe të vazhdueshme për të gjithë.
  2. Forcimi i rrjeteve të mbështetjes sociale – përmes familjes, miqve, institucioneve dhe komuniteteve lokale.
  3. Promovimi i edukimit dhe ndërgjegjësimit publik – për të rritur kuptimin mbi çështjet e shëndetit mendor dhe për të reduktuar stigmatizimin.
  4. Nxitja e politikave institucionale për promovim dhe parandalim – duke përfshirë shëndetin mendor si prioritet në politikat publike.
  5. Avokimi për barazi dhe qasje të drejtë në kujdesin mendor – për të adresuar pabarazitë dhe për të fuqizuar çdo individ që të jetojë me dinjitet.

Në përfundim, organizata “Mendje” apelon që institucionet e vendit të ndërmarrin hapa konkretë për të integruar shëndetin mendor në të gjitha nivelet e kujdesit publik, duke e konsideruar atë jo vetëm si sfidë shëndetësore, por edhe si çështje të drejtash njerëzore dhe zhvillimi shoqëror.


Go to TOP