Hovenier për vizitën e Kurtit në ShBA: Besoj se takimet që i zhvilloi ishin serioze

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, foli edhe për vizitën tre javore të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në ShBA.

Sipas ambasadorit, Kurti punoi shumë në përpjekjepër të tërhequr sa më shumë investime në vend, duke shtuar se beson se kryeministri kosovar, zhvilloi takime serioze me zyrtarë qeveritarë amerikanë.

“ Mendoj se kurdo që një kryeministër viziton ShBA-në dhe zhvillon takime atje, kryeministri Kurti u takua me dy anëtarë të kabinetit tonë, pra nga ana zyrtare takime të këtij niveli për dobi të vendit. Nuk mund të flas për të gjitha motivet për të gjitha ndalesat që ai bëri, por siç e kuptoj ai punoi fort duke u përpjekur të tërheqë investime dhe të kërkojë të sjellë më shumë asistencë për të ndihmuar ekonominë e Kosovës që t’u ofrojë qytetarëve prosperitet më të mirë. Mendoj se është një qëllim i mundshëm dhe dua të besoj se takimet e tij me zyrtarët qeveritarë ishin serioze”.

Ai tha se Kurti u takua me njerëz të rëndësishëm të qeverisë amerikane, njofton Klankosova.tv

“Ai është takuar me Këshilltarin për Siguri Kombëtare, që është këshilltari më i afërt i presidentit Joe Biden, në të gjitha politikat e sigurisë së jashtme. Ai është takuar edhe me drejtoreshën e USAID-it, që është ish-ambasadore e ShBA-së në Kombet e Bashkuara dhe është anëtare shumë e rëndësishme e kabinetit tonë”, ka thënë Hovenier në Rubikon.

Hovenier shtoi se mostakimi i Kurtit me Biden, nuk duhet të merret si ndonjë sinjal apo mesazh për Kosovën, pasi sipas tij, nuk është kjo mënyra se si ShBA ndërton marrëdhënie me shtetet.

“ Nuk është dërguar asnjë mesazh. Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nëse kemi një mesazh ju do ta dini. Mënyra se si do ta dini është që do ta themi mesazhin. Ne në përgjithësi nuk dërgojmë sinjale, kjo nuk është mënyra jonë për të bërë diplomaci dhe sigurisht nuk është mënyra se si i ndërtojmë marrëdhëniet me shtete. Nuk duhet të lexoni shumë në faktin se presidenti Biden ishte në mes të luftës në Ukrainë dhe gjithashtu po përballet me pandeminë COVID-19 që po vazhdon në ShBA ose faktin se Sekretari Blinken që rezultoi me COVID-19 një javë para se kryeministri të jetë atje dhe menjëherë duhet të shkonte në Evropë për një takim të G7-s nuk ishin domosdoshmërish në dispozicion”, ka shtuar ai.

Ai madje tha se e vlerëson marrëdhënien me kryeministrin Kurti, duke shtuar se punon shumë mirë me të.

“Ne e vlerësojmë marrëdhënien me kryeministrin Kurti, unë punoj shumë mirë me të. Më ka respektuar dhe më ka ndihmuar, prandaj do të mundohem të shprish narrativën mbi këtë”, ka vazhduar ai.

Hovenier: Të mos flenë të qetë, njerëzit në Kosovë e rajon që janë të përfshirë në korrupsion

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se njerëzit në Kosovë e rajon, që janë të përshirë në aktivitete kriminale, nuk duhet të flenë të qetë, pasi mund të sanksionohen në çdo moment.

“Njerëzit në Kosovë ose në vendet e rajonit, që janë të përfshirë në aktivitete të organizuara kriminale ose korrupsion, nuk duhet të flenë të qetë dhe fare mirë mund të ketë sanksione të caktuara në një moment”, ka thënë Hovenier në Rubikon.

Ai tha se nuk i shohin paraprakisht vendimet për sanksione dhe se zakonisht i informojnë njerëzit për këto vendime në kohën kur i bëjnë publike ato.

“Ajo që dua të them është se presidenti i ka dhënë autoritet agjencive qeveritare të mbikëqyrin individët që plotësojnë kritere të caktuara potencialisht për t’u sanksionuar. Shumë punë po bëhet në lidhje me personat që janë të përfshirë në sulmin e pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë dhe një numër i njerëzve po sanksionohen për rolin individual që kanë luajtur. Ka autoritete që adresojnë në veçanti krimin e organizuar transnacional dhe njerëzit e përfshirë në krimin e organizuar transnacional dhe korrupsion”, ka thënë ai.

Hovenier për dialogun Kosovë-Serbi: Natyrisht që ka afat kohor

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA-të janë duke bërë gjithçka që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, ka folur për afatin kohor se kur mund të arrihet, kjo duke mos dashur të japë datë.

“Mendoj se ka shumë sinjale që periudha e ardhshme, dhe nuk dua ta përkufizoj me 18 muaj apo dy vjet apo çfarëdo, por nuk është e pafund dhe ka mundësi të njëmendtë tani. E di që përfaqësuesi i posaçëm Lajçak është i përkushtuar për të bërë gjithçka që mundet për të shtyrë këtë gjë përpara. E di që Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të bërë gjithçka që mundemi për ta shtyrë këtë gjë përpara. Prandaj mund t’ju premtoj se diçka nga kjo do të varet nga kryeministri Albin Kurti e presidenti Aleksandër Vuçiq dhe ekipet e tyre përkatëse se çka është e mundur të arrihet, por ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të realizohet kjo”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka theksuar se vënia e afate kohore se do të ketë përfundim të procesit të dialogut janë false dhe se kjo nuk nënkupton përparim.

“Natyrisht që ka afat kohor. Populli i Kosovës dëshiron ta shohë vendin plotësisht të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Edhe ne e duam këtë gjë. Ne mendojmë se momentalisht jemi në një çast kur ka gjasa të njëmendta për arritjen e përparimit në dialog”.

“Ka përkushtim nga administrata e Bidenit. E kemi situatën kur politika e brendshme është më pak relevante meqenëse nuk do të keni zgjedhje as në Kosovë e as në Serbi për një kohë të caktuar. Pra, ne shpresojmë dhe e di që edhe përfaqësuesi i posaçëm Lajçak shpreson të shohë këtë periudhën e ardhshme ku kemi këtë mundësi që vërtetë të jetë periudhë ku kolektivisht arrijmë përparim”,ka thënë Hovenier.

Tutje, ai ka shtuar se ShBA-të e kanë thënë zyrtarisht se besojnë që duhet të jetë një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përqendruar në njohje reciproke.

Go to TOP