Oda Ekonomike e Kosovës: Akuzat dhe njollosjet e pabaza dëmtojnë imazhin e bizneseve vendore

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë thirrje për përmbajtje nga çdo deklaratë apo veprim që mund të dëmtojë reputacionin e bizneseve vendore, duke theksuar kontributin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të Kosovës.

Sipas OEK-së, akuzat dhe njollosjet e pabaza mund të ndikojnë negativisht në imazhin e vendit dhe të largojnë investitorët potencialë, gjë që cenon zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik.

Në reagimin e saj, OEK ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës garanton prezumimin e pafajësisë për të gjithë individët dhe se çështjet ligjore duhet të trajtohen ekskluzivisht nga organet kompetente të drejtësisë.

“Çdo ndërhyrje apo gjykim publik nga individë të caktuar, për arsye personale apo interesa të tjera, është i papranueshëm dhe dëmton imazhin e bizneseve,” thuhet në reagimin e OEK-së.

Organizata ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së bizneseve vendore për të ruajtur stabilitetin ekonomik, tërhequr investime ndërkombëtare dhe krijuar vende të reja pune në vend. Në përfundim, OEK ka bërë thirrje për krijimin e një mjedisi të drejtë dhe të favorshëm për zhvillimin e veprimtarive ekonomike, duke theksuar nevojën për respektimin e të drejtave të bizneseve në përputhje me ligjet e Kosovës

Go to TOP