Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga ATK-ja publikimin e përditshëm të aktiviteteve ekonomike të sektorëve për tërheqjen e investimeve të huaja

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës pasqyrimin e përditshëm dixhital për aktivitetin ekonomik sipas sektorëve, me qëllim që t’u shërbejnë këto të dhëna kompanive me kapital amerikan dhe të tjerë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka theksoi se ashtu siç publikohen të dhënat e bizneseve në baza vjetore nga ana e ATK-së, janë të vonshme dhe nuk janë të specifikuara sipas sektorëve.

“Ajo çfarë do të donim është si në rastin e portalit të doganës, që të publikohen të dhënat sipas sektorëve. Pastaj që edhe ne të jemi në gjendje në kohë reale dhe në baza ditore të mund të shohim se cilët sektorë kanë rritje më të madhe të aktivitetit ekonomik. Kjo përveç që na ndihmon neve si oda ekonomike, pastaj edhe rekomandimet tona që ua bëjmë qeverisë të jenë të bazuara në këto dëshmi, të cilat bazohen në informata të sakta të deklaruara nga ana e tatimpaguesve. Por, në anën tjetër edhe qeveria të mund t’i marr vendimet e saj duke u bazuar në këto të dhëna. Synimi ynë është që t’u shërbejmë kompanive me kapital amerikan dhe kompanive të tjera-investitorëve të huaj. Prandaj, besoj që të pasurit të të dhënave të tilla do të ndihmonin edhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vend. Investitorët e huaj duke pasur qasje në këto të dhëna publike, pastaj edhe do të merrnin vendimet e tyre nëse dëshirojnë të investojnë në Kosovë apo jo. Ashtu siç publikohen në baza vjetore nga ana e ATK-së, besoj që janë edhe të vonshme, por edhe nuk janë të specifikuara sipas sektorëve”, theksoi Zeka.

Në këtë konferencë, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ka folur për hapat nëpër të cilët ka kaluar ATK-ja në digjitalizimin e shërbimeve. Murtezaj po ashtu theksoi edhe për përdorimin e platformës online EDI nga vitit 2011 për tatimpaguesit ndër vite.

Drejtori i ATK-së tha se kjo administratë ofron 38 shërbime digjitale, dhe ka për synim digjitalizimin e të gjitha shërbimeve dhe largimin e shërbimeve me letra fizike.

“Nevoja për shërbime të reja digjitale, ne jemi në proces që këto t’i pranojmë si kërkesa sa herë që paraqitet nevoja për t’i zhvilluar tutje gjithmonë me qëllimin që të lehtësohet puna për bizneset. Në të njëjtën kohë gjithë synimi ynë është që të mënjanohet letra. Pra, objektiv i yni është të largohet letra fizike dhe për këtë jemi duke punuar gjatë këtyre viteve në ngritjen e kapaciteteve të sistemit të ri të IT-së, sistem ky i cili do të krijon shumë mundësi dhe avancime si në ofrim të shërbimeve për tatimpaguesit, pastaj në identifikim të rreziqeve tatimore. Megjithatë është një nevojë për t’u zhvilluar tutje, sepse jemi duke shkuar drejt epokës dixhitale”, theksoi Murtezaj.

Reformat dhe platforma dixhitale, sipas tij, ka pasur ndikim në rritjen e efikasitetit të mbledhjes së borxheve në ATK. 

Go to TOP