Oda e Avokatëve reagon ashpër ndaj kërkesës së ATK-së: Kjo është gjueti shtrigash ndaj mbi 700 avokatëve
Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka reaguar ashpër ndaj një kërkese të fundit të bërë nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), përmes së cilës kërkohet nga qindra avokatë që të dorëzojnë brenda një afati të shkurtër një sasi të konsiderueshme të dhënash, përfshirë informata konfidenciale për klientët, raporte me përmbarues privatë, pasqyrat financiare dhe të dhëna nga bashkëpunimet me sektorin publik e privat për periudhën 2019–2024.
Në një deklaratë të përbashkët nga kryetari i OAK, Besnik R. Berisha, dhe nënkryetari Naim Rudari, kjo kërkesë u cilësua si “në shpërputhje të plotë me parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës” duke e konsideruar atë si një veprim arbitrar dhe të paarsyetuar ligjërisht, që cenon pavarësinë e profesionit të avokatit.
“Avokatët nuk janë mbi ligjin dhe nuk e kërkojnë këtë. Ne paguajmë tatim dhe i dorëzojmë pasqyrat në afate. Por ajo që kërkojmë është siguri juridike dhe respekt ndaj profesionit tonë”, thuhet në reagim.
OAK vëren se kërkesa e ATK-së nuk përcakton nëse bëhet fjalë për një kontroll të rregullt tatimor, hetim penal apo inspektim tematik duke mos ofruar as vendim formal për hapje kontrolli dhe as objekt të qartë hetimi.
Në reagim, theksohet se në listën për dorëzimin e të dhënave janë përfshirë edhe avokatë që tashmë nuk jetojnë duke ngritur dyshime për seriozitetin dhe qëllimin e vërtetë të kësaj iniciative, e cila cilësohet si “një formë e re e ndërhyrjes sistematike në pavarësinë e avokatisë”.
OAK ka paralajmëruar se do t’i drejtohet menjëherë Drejtorit të ATK-së, Ministrit të Financave, Kryeprokurorit të Shtetit dhe institucioneve të tjera përkatëse për të kërkuar sqarime dhe ndalimin e menjëhershëm të kësaj praktike.
“Ky profesion nuk ka asnjë vlerë nëse nuk mbrohet me dinjitet të palëkundur dhe besnikëri ndaj ligjit dhe parimeve,” përfundon deklarata.
Oda u bën thirrje të gjithë avokatëve që të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur në mbrojtje të integritetit profesional dhe parimeve të shtetit të së drejtës. /Kosova.info/
