O’Brien dhe Eichhorst takuan Vuçiqin në Beograd
Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe drejtoresha e Përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, Angelina Eichhorst kanë qëndruar në vizitë të paparalajmëruar në Beograd.
Ata janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, teksa ky i fundit ka dhënë detaje lidhur me atë çfarë u diskutua.
Përmes një postimi në Instagram, presidenti serb ka thënë se në këtë takim është diskutuar për kushtet politike në rajon, situatën në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha të shumta.
“Kemi shkëmbyer mendime edhe për rolin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. Me bashkëbiseduesit u njoha në detaje për situatën në Kosovë dhe shpreha shqetësimin e thellë për sfidat me të cilat populli serb përballet çdo ditë. Theksova nevojën për një angazhim më të madh të SHBA-së në këtë çështje, pasi që një mbështetje më e fortë dhe pjesëmarrje më aktive e Shteteve të Bashkuara mund të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka shkruar Vuçiq.
Ai ka thënë se në këtë takim ka përsëritur “përkushtimin e Serbisë për integrimin në BE dhe reformat që janë të nevojshme për të përmirësuar bashkëpunimin me BE”.
“Theksova gjithashtu se i gjithë rajoni ka nevojë për një të ardhme të qëndrueshme dhe të parashikueshme, me mesazhe të qarta nga Bashkimi Evropian për zgjerim. Shpreha gatishmërinë time për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme së bashku dhe stabilitetin dhe prosperitetin e qëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor, si dhe shpresën se dinamika e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal do të vazhdojë me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së”, ka shtuar Vuçiq.
