Obama: Amerika është gati për një kapitull të ri
Ish-presidenti Barack Obama dhe bashkëshortja e tij, ish-zonja e parë Michelle Obama kanë mbajtur fjalimin e tyre në natën e dytë të Konventës Kombëtare Demokrate, në mbështetje të fortë të Kamala Harris, kandidates për Presidente të ShBA në zgjedhjet e nëntorit.
Obama e ka nisur fjalimin duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati për një Presidente si Harris.
“Amerika është gati për një kapitull të ri. Amerika është gati për një histori më të mirë. Ne jemi gati për një Presidente Kamala Harris. Dhe Kamala Harris gati për këtë punë,” thotë ai.
Obama vuri theksin te historia e Harris si prokurore që ndjek bankat e mëdha dhe abuzuesit seksualë të fëmijëve.
“Pas krizës së hipotekave në shtëpi, ajo më shtyu mua dhe administratën time të fort për t’u siguruar që pronarët e shtëpive të merrnin një zgjidhje të drejtë”, tha ai, ndërsa u premtoi demokratëve se Harris do të përqendrohet në problemet e qytetarëve” dhe nuk do të kujdeset vetëm për votuesit e saj dhe se “nuk do të ndëshkojë ata që refuzojnë të përkulin gjurin”.
Obama thotë gjithashtu se e do Tim Ualz (Walz), për të cilin thotë se është “lloji i personit që duhet të jetë në politikë – dikush që ka lindur në një qytet të vogël, i ka shërbyer vendit të tij, ka mësuar fëmijët, ka trajnuar futboll dhe është kujdesur për fqinjët e tij”.
Obama vazhdon duke thënë se zgjedhja e Harris dhe Walz “nuk do të jetë e lehtë”.
“Detyra jonë është t’i bindim njerëzit se demokracia në të vërtetë mund të japë rezultate,” thotë ai.
Më tej, Obama sulmoi Donald Trump duke deklaruar se ai e sheh pushtetin thjesht si një mjet për të arritur qëllimet e veta.
“Trump e sheh pushtetin si asgjë më shumë se një mjet për qëllimet e tij. Ai vrau një marrëveshje dypartiake imigracioni që do të ndihmonte në sigurimin e kufirit tonë jugor, sepse ai mendoi se përpjekja për të zgjidhur problemin do të dëmtonte fushatën e tij. Atij duket se nuk i intereson nëse më shumë gra humbasin liritë e tyre riprodhuese pasi kjo nuk do të ndikojë në jetën e tij”, u shpreh Obama.