Nxënësit kujtojnë 1432 fëmijët martirë të Kosovës
Nxënësit e Shkollës Fillore “Dardania” në Prishtinë kanë zgjedhur të përkujtojnë 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në një mënyrë ndryshe: përveç flamujve dhe urimeve, ata kanë hapur një ekspozitë ku kujtojnë 1432 fëmijë martirë të Kosovës, të vrarë gjatë luftës 1998-1999.
Në kuadër të projektit “Kremtojmë dhe Kujtojmë”, nxënësit prezantuan 18 punime që përfaqësojnë histori të dhimbshme të luftës. Çdo punim përmban emrat e fëmijëve që nuk e panë lirinë që sot Kosova e feston.
“Në projektin tim kemi paraqitur 80 emra të fëmijëve që u vranë në masakrën e Studimeve, afër Vushtrisë, më 2 dhe 3 maj 1999. Forcat serbe i detyruan fëmijët, gratë dhe burrat të largoheshin nga shtëpitë e tyre,” tha nxënësja Suela Imeri.
Ndërsa Uerda Jashari tha se Pavarësia e Kosovës është një moment i lumtur për të gjithë shqiptarët. “Por përmes këtij projekti duam të kujtojmë ata që nuk e panë këtë ditë”, tha ajo.
Nxënësit prezantuan edhe historinë e FSK-së, duke treguar transformimet e saj nga TMK-ja deri në Forcën e Sigurisë së Kosovës më 1 janar 2009, dhe rolin e saj në mbrojtje të qytetarëve dhe shërbime humanitare, siç shpjegoi Delina Ramabaja.
Mësimdhënësi dhe udhëheqësi i projektit, Fatmir Dervishi, tha se rreth 200 nxënës kontribuan në këtë mozaik të kujtesës,
“Në pjesën e majtë kemi festuar 18-vjetorin e shtetësisë, ndërsa në të djathtën kemi shkruar ‘Kujtojmë’ për 1432 fëmijët. Çdo punim ka një mesazh që t’i kujtojmë ata, edhe pse dhimbja është e madhe, këta fëmijë e meritojnë kujtimin”, tha ai.
Ky projekt nuk mbyllet vetëm me ekspozitë. Nxënësit do të drejtojnë një kërkesë për Komunën e Prishtinës për ndërtimin e një obelisku në nder të fëmijëve martirë, një vend përkujtim që, siç tha Dervishi, “këta fëmijë e meritojnë”, tha ai.
Ekspozita e projektit “Kremtojmë 18-vjetorin dhe Kujtojmë 1432 fëmijët martirë” do të shfaqet më 17 shkurt në Sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, duke kthyer përvjetorin e Pavarësisë në një thirrje për kujtesë dhe respekt për viktimat e pafajshme.
