Kovac kërkon që Dortmundi ta bartë formën e Bundesliga në Champions League

Trajneri i Borussia Dortmund, Niko Kovac, ka kërkuar nga skuadra e tij që formën e mirë në kampionatin gjerman ta bartë edhe në Champions League.

Kjo në prag të përballjes ndaj Atalanta në fazën “play-off”, ndeshje e cila zhvillohet të martën.

Dortmund është në seri prej gjashtë fitoreve radhazi në Bundesliga, çka e ka rikthyer fuqishëm në garën për titull. Megjithatë, paraqitjet në Evropë nuk kanë qenë në të njëjtin nivel. Skuadra gjermane ka mbetur pa fitore në tri ndeshjet e fundit të fazës së ligës dhe e ka përfunduar atë në vendin e shtatëmbëdhjetë, duke hyrë në “play-off” pa status favoriti. Ndeshja e parë luhet në Gjermani, ndërsa ajo e kthimit më 25 shkurt në Itali.

“Duam ta vazhdojmë momentumin që kemi aktualisht në Bundesliga dhe ta sjellim atë edhe në Champions League, bashkë me tifozët tanë”, ka deklaruar Kovac. “Në ndeshjet eliminatore ka rëndësi vetëm kualifikimi. Kjo arrihet vetëm me punë të madhe në fushë, jo me fjalë”.

Atalanta aktualisht renditet në vendin e gjashtë në Serie A dhe ka treguar formë në rritje në kampionat, edhe pse edhe ajo ka pasur vështirësi në Evropë. 

“Atalanta është një ekip shumë i fortë, që është rritur viteve të fundit dhe ka fituar trofe evropian. Pres një përballje shumë të fortë, me gjasa të njëjta për të dyja skuadrat. Shpresojmë të shkojmë në Itali me një rezultat pozitiv”, ka theksuar Kovac.


Go to TOP