Nxënësit e Deçanit nderojnë Epopën e Dukagjinit me ekspozitë artistike
Në kuadër të shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan është hapur ekspozita me punimet e nxënësve fillorë nga komuna e Deçanit.
Përmes krijimeve të tyre artistike, nxënësit kanë shprehur ndjenjat dhe përjetimet lidhur me këtë datë historike, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve të kombit.
Nxënësi Etnik Mehmetaj tha se vizita në Gllogjan ka për qëllim nderimin e dëshmorëve dhe sakrificës së tyre.
Ndërsa nxënësi Art Selmanaj theksoi rëndësinë historike të kësaj dite, duke shtuar se përmes punimeve janë munduar të paraqesin identitetin dhe kulturën e vendit.
Drejtoresha e SHFMU “Dëshmorët e Dukagjinit”, Lumnije Avdiu, u shpreh se ekspozita pasqyron shpirtin artistik të nxënësve dhe mënyrën se si ata e përjetojnë këtë ditë përmes artit.
Xhafer Sejfiaj, familjar dëshmori dhe ciceron në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit, kujtoi sakrificën e dëshmorëve Gazmend, Agron dhe Himë, të cilët ranë në mbrojtje të nxënësve të marrë peng nga forcat serbe në ish-shkollën “Hasan Prishtina” në Gllogjan.
Gjatë ditës, për nder të 24 marsit, një tjetër ekspozitë u hap edhe në Qendrën Rinore “Fetnete Ramosaj” në Deçan, duke shënuar këtë datë me aktivitete përkujtimore dhe kulturore.


