Nuraj: E zhgënjyer nga institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës, por e vendosur të vazhdojë rrugën e saj e vetme

Aktivistja nga Sanxhaku, Amina Nuraj, ka reaguar publikisht për mungesën e ftesave në ngjarje të rëndësishme kombëtare, si “Ditët e Diasporës” në Shqipëri dhe festimet e Pavarësisë së Kosovës.

Ajo shprehet e zhgënjyer nga institucionet shqiptare dhe kosovare duke theksuar se kontributi i saj nuk po vlerësohet sa duhet. Sipas Nurajt, kjo mund të vijë për shkak të perceptimit se ajo është ende “e re” për politikën, por shton se mungon edhe vullneti për të njohur realitetin e shqiptarëve në Sanxhak dhe angazhimin e saj shumëvjeçar.

Megjithatë, ajo thekson se kjo nuk do ta ndalë në misionin e saj, pasi për gati 14 vite ka vepruar e vetme dhe me përkushtim për kombin. Nuraj nënvizon se mbështetja më e madhe për të mbetet dashuria dhe respekti i qytetarëve shqiptarë, të cilët, sipas saj, e vlerësojnë punën e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në reagimin e saj, ajo shfaqet e prerë ndaj politikës duke deklaruar se është zhgënjyer prej kohësh dhe se nuk është pjesë e hipokrizisë. “Unë them gjithçka në sy, pa dorashka”, shprehet ajo duke shtuar se do të vazhdojë rrugën e saj me dinjitet dhe pa u përshtatur për t’u pëlqyer të tjerëve.

Në fund, Nuraj falënderon të gjithë mbështetësit e saj për dashurinë dhe forcën që i japin çdo ditë duke u shprehur e bindur se do të arrijë sukses me forcat e veta. /Kosova.info/


Go to TOP