Nuk jep fitues derbi mes Besa Famgasit e Rahovecit

Besa Famgas e Rahoveci kanë luajtur ndeshje të fortë dhe interesante të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Dhe në fund të dy skuadrat morën nga një pikë.

Derbi i xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve përfundoi 30:30.

Pjesa e parë ishte e fortë dhe e barabartë. Kryesisht skuadra vendase ishte në epërsi prej një goli, por epërsi prej një goli kishin edhe “vreshtarët”. Vetëm një herë Besa u shkëput në dy gola, 6:4.

Në pjesën e dytë, pas rezultati 18:18, Rahoveci hyri në seri golash për shkëputje 23:18. Por vendasit nuk u ndalën dhe ia dolën të kthehen në lojë.

Barazuan në 29:29 në minutën e 59-të, kur realizoi Jon Vokshi. Për 30:29 në të mirë të Rahovecit realizoi Mali Luzha. Ndërkohë golin e fundit e shënoi Elion Vokshi i Besa Famgasit.

Rahoveci kishte aksionin e fundit, por nuk konkretizoi.

Oliver Rabek i shënoi shtatë gola për Besën e Pejës. Gjashtë i shënoi Mohamed Yassin, kurse nga pesë i shtuan Elion e Jon Vokshi.

Jon Muqolli i realizoi shtatë gola për Rahovecin. Gjashtë i kishte Arbios Mushkolaj e pesë Egzon Gjuka.

Rahoveci mbetet i dyti me 41 pikë, tani tri më pak se Kastrioti.

Besa Famgas është e treta me 35 pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur. /Kosova.info/

Go to TOP