Kica-Xhelili e qet në rrenë Gërvallen për arsyen e kalimit në LDK: S’e ka kuptuar, s’është e vërtetë

Deputetja më e re e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili i ka kthyer një përgjigje akuzave të bashkëpartiakes së saj në partinë Guxo, Donika Gërvalla, e cila ka deklaruar se Kica-Xhelili kishte ndërruar qëndrim mbi reformën në drejtësi, prandaj kishte lënë partinë ku kishte nisur karrierën politike.
Kica-Xhelili ka deklaruar se kjo nuk është e vërtetë. Ajo ka thënë se do të vazhdojë të angazhohet për Vetingun e Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, duke thënë se reforma në drejtësi është edhe pjesë e platformës së LDK-së nga viti 2018.

“Donika Gërvalla s’e paska kuptuar pse kam dalur nga aty. Të thuash që kam ndërruar qëndrim për reformën në drejtësi, nuk është e vërtetë. Nëse është dikush që do të punojë për vettingun, jam unë që do të jem përpara zonjës Gërvalla. “Me gjasë nuk e ka informacionin që në vitin 2018, LDK e ka pasur platformën e saj vetingun dhe byronë”, ka thënë ajo në emisionin Pressing të T7.

Sipas saj, Gërvalla nuk e njeh LDK-në sot.

“Dukshëm po injorohet se kush është LDK sot. Ndoshta qëllimshëm, sepse e kuptoj që nuk është e konvenueshme. Arsyeja pse unë jam në LDK, ka elektorat që cdo ditë po zgjerohet, sepse LDK buron ngan një ideologji bazë tepër të rëndësishme për Kosovën. Kur flasim për Rugovizmin nënkuptohet shteti, stabiliteti, jo krizat. Rugovizmi është urtësi, bashkë me guximin, jo linçimi, propaganda e fyrjet. E aq më pak, qasja e ngutshme”, ka thënë Kica-Xhelili.

Ajo ka thënë se LDK sot bartë në vete rigjallërimin e frymës së LDK-së së ish-liderit të saj, Ibrahim Rugova.

“LDK sot e ka pikërisht rigjallërimin e kësaj fryme, që beson në shtetndërtim dhe mirëqenie të qytetarëve. LDK është duke i sjell shoqërisë njerëzit më të përgatitur të këtij vendi. Ka grupe ekspertësh që në vazhdimësi punojnë për të të sjellë një platformë për këtë vend. Ata njerëz nuk dalin në media”, ka deklaruar ajo.

Go to TOP