Njëzet e pesë vite nga vënia e gurthemelit dhe  bekimit të Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë

Shkruan: Lekë MRIJAJ

25-vjetori i vendosjes dhe bekimit të gurthemelit të Kishës Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë shënon një moment të rëndësishëm për komunitetin e besimtarëve të Klinës dhe për historinë e Kishës Katolike në Kosovë. Kjo ngjarje nuk është thjesht një përvjetor historik, por më tepër edhe një mundësi për të medituar e reflektuar mbi rrugëtimin e përbashkët të një komuniteti të angazhuar dhe të përkushtuar ndaj besimit të tij, si dhe për të nderuar rolin e figurave kryesore që kontribuuan në këtë projekt madhor, siç është don Fran Sopi, famullitari i parë historik i Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, i cili ka luajtur rolin e një bariu të palodhur, të mirë dhe të guximshëm. Ai, edhe përkundër sidave që kishte nga ideologjia komuniste dhe ajo serbe e viteve 90-ta, qëndroi i palëkundur dhe i fortë në besimin e tij, duke iu përgjigjur tamam thirrjes së tij meshtarake dhe të Zotit me vendosmëri, ashtu sikurse Pjetrit, të cilit vetë Jezusi i tha: “Ti je Pjetër, dhe mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time” (Mat. 16:18).

Kjo do të thotë se don Frani, menjëherë pas përfundimit të luftës, nga administratori i UNMIK-ut për Komunën e Klinës, z. Castaneda, është pajisur me lejen e ndërtimit të Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, i cili në ditën e hënë, më 30 gusht të vitit 1999, mblodhi grigjën e kësaj famullie, të rinj dhe të moshuar, për të marrë pjesë në aktin historik të ceremonisë së vendosjes dhe të bekimit të gurthemelit të Kishës Katolike kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, e cila është Kisha e Zojës së Bekuar, duke e mbajtur në gjoks birin e saj – Krishtin.

Me një përkushtim të pakompromis, ai e vendosi dhe bekoi gurthemelin e Kishës, të cilin për për disa vite e e bëri ndërtimin e Kishën e Klinës, duke e kompletuar dhe duke e bërë atë një simbol të qëndrueshmërisë dhe shpresës për besimtarët e famullisë. Don Frani, që nga vëndosja dhe bekimi i gurthemelit, deri te ndërtimi dhe inaugurimi i këtij tempulli, është kujdesur në tërësi për Kishën, që ajo (e cila nuk lejohej të ndërtohej dhe ishte rrënuar nga komunistët shqipfolës në vitin 1974 dhe më vonë i ishte ndaluar puna në ndërtim nga pushtetarët serbë në qershor të vitit 1996) të mos ishte vetëm një strukturë prej guri dhe betoni, por një Shtëpi e vërtetë shpirtërore e hyjnore me vlera universale, ku besimi, shpresa dhe dashuria për Zotin dhe birin e Tij, të ushqehen dhe ndahen me njëri-tjetrin. Me jetësimin e këtij projekti, ai ia arriti të ngjallë dhe jetësojë një simbol të fuqishëm të shpresës dhe ndërtimit të Kishës në Klinë.

Ajo ditë festive e vendosjes dhe bekimit të gurthemelit kishte ecur sipas agjendës protokollare të famullisë, që drejtohej nga projektideatori i Kishës dhe ish-famullitari i Klinës, Don Fran Sopi, ish-dekan i Dekanatit të Pejës, mbështetur nga motrat vinçenciane, m. Ana Gjergji, m. Zoje M. Krasniqi, këshilltarët e Kishës, si dhe vetë besimtarët, të cilët ishin bashkuar duke kontribuuar në përgatitjet me përkushtim të madh, duke siguruar që çdo detaj të ishte i përsosur për këtë ngjarje të shenjtë. Në atë ditë festive, don Frani ishte figura kryesore e asaj ceremonie madhështore, i cili mbërriti te themelet e Kishës, ku u mirëprit me ngrohtësi nga grigja e tij, përshëndeti me dashamirësi të pranishmit dhe iu shprehu mirënjohje për përkushtimin dhe sakrificën e tyre në mbështetje të nismës së ndërtimit të kësaj kishe, duke lutur Zotin dhe Zojën e Këshillit të Mirë dhe duke uruar punëkryesin, Ndërmarrjen Ndërtimore “Vëllezërit Dodaj” nga Krusheva e Vogël, që t’i ecë mbarë puna në ndërtimin e këtij tempulli të shenjtë.

Ceremonia e asaj dite festive vazhdoi me një ritual liturgjik e solemn pranë bazamentit të vendosur, bekuar, i cili ishte mbushur me lutje dhe këngë kishtare shqipe, të cilat krijuan një atmosferë të thellë shpirtërore dhe kulturore. Pas lutjeve dhe liturgjisë kishtare, don Fran Sopi vuri gurthemelin dhe bëri bekimin e gurit themeltar të Kishës, duke i bekuar themelet e saj me ujë të shenjtë, lutje dhe fjalë të veçanta, duke folur për të kaluarën e Kishës së Klinës dhe rolin e saj si një vend adhurimi dhe bashkimi shpirtëror, ku besimtarët e famullisë së Klinës do të gjejnë ngushëllim dhe forcë për të përballuar baticat dhe zbaticat e jetës. Njëkohësisht, ai falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët gjatë atyre kohërave të komunizmit dhe okupimit serb kontribuuan shpirtërisht me lutje përkushtuese dhe në mënyra të tjera shumëdimensionale në nismat e tyre për ndërtimin e Kishës (në vitin 1974 dhe në vitin 1996), duke e vlerësuar jashtëzakonisht përkushtimin dhe sakrificën e tyre. Atmosfera e asaj dite ishte e mbushur me gëzim dhe lumturi, ndërsa besimtarët e famullisë evokonin dhe ndanin histori dhe kujtime të viteve të kaluara dhe shpresat e tyre për të ardhmen.

Themelet e Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, tashmë të bekuara nga Don Frani, qëndrojnë si një bazament i monumentit të gjallë të besimit dhe qëndresës së famullisë së Klinës. Gurthemeli përfaqëson fillimin e një ndërtese fizike mbi të cilin, tashmë për afro dy dekada, është ndërtuar Kisha e që shërben si shtëpi shpirtërore e liturgjike për grigjën e famullisë së Klinës, më konkret vendi ku njerëzit e famullisë dhe të tjerë mblidhen përherë për të adhuruar Zotin, për të kërkuar besim, dashuri e paqe, dhe për të gjetur mbështetje në besimin e tyre në Jezusin. Bekimi i këtij gurthemeli i dha këtij akti një dimension të thellë hyjnor e shpirtëror, duke siguruar që ky vend do të jetë një hapësirë e shenjtë, ku dashuria hyjnore do të interpretohet, përjetohet dhe shpërndahet.

Vlen të potencohet se Kisha e Klinës tashmë është ndërtuar dhe shuguruar nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës, më 22 maj 2011. Në këtë kremtim të meshës së bekimit të Kishës së Klinës ishin të pranishëm famullitari i atëhershëm i Klinës, Don Lorenc Sopi, dhe famullitari i parë i famullisë së Klinës, Don Fran Sopi, i cili bëri vendosjen e gurthemelit dhe ndërtoi Kishën. Në atë rast shugurimi morën pjesë shumë meshtarë nga e gjithë dioqeza e Kosovës, një numër i madh besimtarësh dhe qytetarësh, si dhe autoritete të larta shtetërore të Kosovës, Klinës, përfaqësues të bashkësisë islame të vendit dhe personalitete të larta ushtarake të larta ushtarake të NATO-s në Kosovë.

Kisha “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë është bërë një pikë referimi e rëndësishme për të gjithë besimtarët e saj dhe për të tjerët, duke qenë dëshmitare e lutjeve, festave, sakramenteve kishtare dhe momenteve të përbashkëta për të bashkuar grigjën e Tij “…gjithmonë deri në të sosur të botës!” (Mt 28,20). Është një vend ku njerëzit do të gjejnë përjetësisht ngushëllim dhe qetësi shpirtërore e fizike në kohë vështirësish dhe do të festojnë gëzimet e jetës së përditshme.

Nga ky 25-vjetor i vendosjes së gurthemelit dhe bekimit të kësaj kishe, le të marrim frymëzim dhe të angazhohemi për të ndjekur veprat e atyre që u angazhuan në ndërtimin e Kishës, duke ruajtur dhe pasuruar veprat dhe trashëgiminë e tyre që na kanë lënë si një testament për brezat. Ky përvjetor është një mundësi për të riforcuar lidhjet tona me Zotin dhe me njëri-tjetrin, si dhe për të vazhduar ndërtimin e një famullie të fortë dhe të bashkuar, e cila për mbi 2000 vite i mbështet dhe i ruan vlerat e Besimit, Shpresës dhe Dashurisë. Njëkohësisht, le të ndjekim një nga fjalimet e don Fran Sopit, i cili në predikimet e tij meshtarake shpeshherë thotë: “Ajo ditë e shënuar festive, në vënien dhe bekimin e gurthemelit të Kishës së Klinës, ishte një ditë e madhe, ditë kur përfundimisht u rrënua bolshevizmi totalitar komunist në Kosovë dhe Shqipëri. Në atë akt festiv të shënuar është parë dhe vërtetuar se Zoti dhe Zoja e Këshillit të Mirë e duan popullin e tyre të dashur, pra, edhe popullin shqiptar. Ajo ditë e shënuar le të mbetet një ditë e shenjtë dhe ta nderojmë me gëzimin më të madh shpirtëror.”

Ky përvjetor i 25-të është gjithashtu një kohë për të kujtuar dhe për të nderuar të gjithë lugdrinasit e Klinës dhe të tjerët nga mërgata shqiptare, të cilët në një mënyrë apo tjetër kanë kontribuar në dimensione të ndryshme në ndërtimin dhe zhvillimin e kësaj kishe madhështore, e cila po e begaton qytetin e Klinës dhe trevën e Lugut të Drinit e të Dukagjinit.

Krejt në fund të këtij artikulli, në jubileun e vendosjes dhe bekimit të gurthemelit të Kishës së Klinës, ne, të gjithë besimtarët e përkushtuar të famullisë sonë, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen më të thellë për don Fran Sopin, i cili ka qenë një udhëheqës dhe ndihmës i jashtëzakonshëm në ndërtimin e Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë (dhe Kishës “Të Ngriturit e Zojës në Qiell” në Dobërdol të Klinës), e cila mbetet Alfa dhe Omega e famullisë së Klinës.

Përpjekjet dhe vizioni i don Fran Sopit kanë qenë thelbësore për realizimin e këtyre projekteve të rëndësishme, duke kontribuar në forcimin e besimit dhe bashkimit të komunitetit tonë. Me pasion dhe përkushtim, ai ka udhëhequr punën për ndërtimin e këtyre dy kishave, duke u ofruar besimtarëve një vend të shenjtë për adhurim dhe reflektim.

Sot, pas 25 vitesh kur shikojmë këto ndërtime madhështore dhe të mrekullueshme, ne e ndjejmë thellësisht kontributin e don Fran Sopit, i cili, përmes sakrificës dhe angazhimit të tij të palodhur, i la famullisë së Klinës një trashëgimi të qëndrueshme dhe të shenjtë për brezat që do të vijnë. Përkushtimi i tij ndaj Kishës dhe besimtarëve është një frymëzim për të gjithë ne, dhe ne e falënderojmë nga zemra për gjithçka që ka bërë për këtë kauzë të shenjtë.

Faleminderit, don Fran Sopi, për tërë përkushtimin dhe sakrificën tuaj. Zoti ju bekoftë dhe ju ruajtë gjithmonë!

Go to TOP