Një vit nga tragjedia e Gllogjanit, me tri viktima

Sot bëhet saktësisht një vit nga tragjedia e Gllogjanit. Për vrasjen e trefishtë që ishte kryer atje, ende s’ka aktakuzë. Para një jave, nga Prokuroria e Pejës kanë thënë se janë në fazën intensive të veprimeve hetimore, por se s’mund të japin detaje për të mos cenuar hetimet.

Misteri vazhdon ta shoqërojë tragjedinë e Gllogjanit, një ndër vrasjet më makabre që është kryer ndonjëherë në Kosovë.
As tash, kur janë bërë një vit nga ajo ditë, s’dihet saktë se kush i shkrepi plumbat nga kallashnikovi në drejtim të shoferit të autobusit dhe dy nxënësve e as cilat ishin motivet. Së paku publikisht, s’janë dhënë asnjëherë informata të tilla.

Para një jave, nga Prokuroria Themelore e Pejës i kanë thënë Gazetës Express se janë në fazën intensive të veprimeve hetimore, por se s’mund të japin më shumë informata, për të mos cenuar procesin hetimor.

Pas përfundimit të hetimeve, kanë thënë se do të njoftojnë opinionin me rezultatet e arritura.

“Lidhur me çështjen penale për të cilën keni parashtruar pyetje, ju njoftojmë se jemi në fazën intensive të veprimeve hetimore, andaj duke mos e cenuar procesin hetimor, nuk mund të japim me shumë informata. Pas përfundimit të hetimeve do të njoftojmë opinionin publik me rezultatet e arritura në këtë proces penal”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë.

Të dyshuar për këtë rast janë katër persona, familjarë mes vete. Njërit prej tyre, i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Të njëjtit tash i është ndërprerë kjo masë me propozim të prokurorit, për t’iu zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit/personit.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti.

“Lidhur me pyetjen e parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se ndaj M.M, me propozimin e prokurorit, është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe të njëjtit masa e arrestit shtëpiak i është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit ”, ka deklaruar Zhuti.

Si kishte ndodhur rasti?

Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit të kaluar, pak para orës 19:00. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. U vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.

Dy ditë pas rastit tragjik, Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë kishin njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan.

Të nesërmen, Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë kishte thënë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.

“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, kishte thënë për REL, prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

Tek më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.

Një tjetër i dyshuar për këtë rast është arrestuar në shkurt të këtij viti, e që sipas raportimeve në media, është familjar i tre personave që ishin arrestuar më parë.

Për motivin nuk është dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare, por në medie është përfolur disa herë si pistë hetimi vetëvrasja e një të reje para tri vitesh, për të cilën dikush e fajësonte shoferin e autobusit.

Ajo që kishte kryer vetëvrasje ishte vajza/motra e të dyshuarve për sulmin ndaj autobusit.

Go to TOP