Një vepër monumentale shkencore mbi historinë e Ipeshkvisë Shkup-Prizren
Recension:
Shkruan: Lekë MRIJAJ
Në kuadër të 40-vjetorit të kalimit në amshim të dr. don Gaspër Gjinit, i cili kaloi në amshim me 7 mars 1985, ju sjellim një recension për veprën e tij madhore, “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj”, i cili libër është një studim i thellë dhe i argumentuar mbi historinë kishtare të këtij rajoni, të cilin autori e konsideronte detyrim moral e shkencor për t’ia dhuruar brezave të ardhshëm. Dr. don Gaspër Gjini ishte një klerik dhe studiues i shquar, i cili përkushtoi jetën e tij për pasqyrimin e historisë së Kishës Katolike në trojet shqiptare. Me një formim akademik të gjerë dhe një pasion të pashuar për kërkimin historik, ai la pas një trashëgimi të vyer studimore, mes të cilave spikat ky studim mbi Ipeshkvinë e Shkup-Prizrenit, një nga dioqezat më të vjetra të rajonit.
Në parathënien e librit të tij, don Gaspër Gjini shpreh një brengë të madhe, pra, me fjalë tjera mungesën e një historie të shkruar të kësaj ipeshkvie, ndonëse ajo ka ekzistuar për më shumë se gjashtëmbëdhjetë shekuj e gjysmë. Kjo mungesë e ka shtyrë studiuesin e autorin në fjalë të ndërmarrë një punë kërkimore të hollësishme, duke mbledhur të dhëna nga burime të ndryshme dokumentare, arkivore dhe juridike. Ai, përshkruan sfidat e kërkimit, duke e krahasuar punën e tij me një njeri që mbledh grurin kalli për kalliri. Megjithatë, këmbëngulja e tij e pashoqe dhe dëshira për të nxjerrë në pah të vërtetën historike e kanë çuar drejt një studimi sistematik, të mbështetur në dokumente të shumta, nga letrat papnore deri tek arkivat e Romës, Parisit, Zarës dhe famullive lokale. Autori thekson edhe boshllëqet e pashmangshme të hulumtimit, duke u bërë thirrje studiuesve të rinj që të vazhdojnë kërkimet në arkivat e Vjenës, Londrës dhe Stambollit.
Libri “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj” është një vepër monumentale që analizon periudhat kyçe të zhvillimit të krishterizmit në këto troje, duke filluar nga epoka e Dardanisë, Kisha Dardane dhe vazhdimësia e komunitetit katolik në këtë rajon deri në ditët e sotme.
Në këtë libër, autori dr. don Gaspër Gjini bën një ndarje konkrete të periudhave historike duke u bazuar në ngjarje kyçe, të cilat kanë përcaktuar ecurinë e Ipeshkvisë. Gjini nuk kufizohet vetëm në historinë administrative, por sjell një vështrim të gjerë mbi ndikimin e Kishës në jetën shoqërore, kulturore dhe shpirtërore të besimtarëve. Një element me rëndësi të veçantë është trajtimi i vazhdimësisë së besimtarëve katolikë në këtë rajon dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur identitetin e tyre fetar dhe kombëtar përballë sfidave të shumta historike. Dr. don Gaspër Gjini e ka mbështetur studimin e tij në dokumentacion të pasur arkivor, duke përdorur burime të dorës së parë nga arkivat papnore, dokumente të periudhave osmane dhe austro-hungareze, si dhe shënime të ruajtura në famullitë katolike të rajonit. Puna e tij përbën një model të shkëlqyer të kërkimit historik, duke ofruar jo vetëm një kronologji të ngjarjeve, por edhe një analizë të thelluar të tyre.
Ky libër është një vepër themelore për të gjithë studiuesit e historisë kishtare dhe kombëtare shqiptare. Pra, është një testament i përkushtimit intelektual dhe shpirtëror i dr. don Gaspër Gjinit, një dëshmi e dashurisë së tij për Dioqezën dhe trashëgiminë e saj. Me këtë libër, autori jo vetëm që mbush një boshllëk të madh në historiografinë dioqezane shqiptare, por gjithashtu lë një trashëgimi të rëndësishme për studiuesit dhe besimtarët që duan të njohin më mirë rrënjët e tyre.
Kjo pjesë të parë, trajton fillesat e krishterimit në Dardani, duke përfshirë organizimin e Kishës dardane dhe rolin e ipeshkvijve të saj në koncilët e hershme. Gjini analizon ndikimin e Justinianës Prima dhe qëndrimin e ipeshkvijve dardanë në debatet teologjike të kohës. Përmes dokumenteve të ruajtura, ai përshkruan strukturën dioqezane dhe rëndësinë e shenjtorëve dardanë.
Në pjesën e dytë, autori shqyrton ndikimin e ardhjes së sllavëve dhe ndryshimet që sollën ata në organizimin kishtar. Përmes dokumenteve të ruajtura, ai ndriçon sfidat e katolikëve nën sundimtarët serbë dhe osmanë. Ai gjithashtu analizon fenomenin e islamizimit dhe laramanisë, duke ofruar një pasqyrë të fateve të kishave katolike në shekujt XVI dhe XVII.
Duke kaluar në pjesën e tretë, autori Gjini paraqet zhvillimet kishtare nga shekulli XVII deri në kohët tona. Ai flet për përpjekjet ekumenike, sinodet e dioqezës dhe rolin e pishtarëve të arsimit në ruajtjen e identitetit katolik. Në këtë pjesë, autori ndalet edhe te martirët e Karadakut dhe roli i ipeshkvijve në ruajtjen e besimit në kohë të vështira ndër kataklizma të ndryshme.
Në fund të këtij libri, autori përfshin dokumente historike të rëndësishme si letrat e ipeshkvijve dardane drejtuar perandorit Leonit I dhe papës Gelazi. Po ashtu, ai ofron një kronologji të ipeshkvijve të territorit të dioqezës Shkup-Prizren, një përmbledhje të argumenteve kryesore të studimit dhe fotografi dokumentare që ilustrojnë zhvillimet kishtare ndër shekuj.
Libri “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj” i dr. don don Gaspër Gjinit përfaqëson një studim themelor e monumental për historinë e Kishës Katolike në rajon. Libri është një vepër e mbështetur në kërkime të thelluara shkencore, duke shërbyer si një burim i çmuar për studiuesit dhe besimtarët që dëshirojnë të kuptojnë më mirë rrënjët dhe zhvillimin e krishterimit në këto troje. Me gjithë përpjekjet e autorit, ai vetë pranon se mbeten ende hapësira për hulumtime të mëtejshme, duke lënë kështu një trashëgimi të vlefshme për studiuesit e rinj.
Në këtë përvjetor të katërdhjetë të kalimit në amshim te dr. don Gaspër Gjinit, e kujtojmë me nderim dhe përkushtim si një dijetar dhe klerik të shquar, i cili me veprën dhe jetën e tij la një trashëgimi të pasur shpirtërore, intelektuale dhe kombëtare. Ai ishte një pishtar i diturisë, një udhëheqës shpirtëror i palëkundur dhe një mbrojtës i vlerave të larta kombëtare, kulturore e njerëzore, duke lënë pas një shembull të ndritshëm për brezat e ardhshëm.
Mirënjohja jonë për kontributin e tij të pavdekshëm shprehet jo vetëm në kujtimin e tij të përjetshëm, por edhe në angazhimin tonë për ta çuar përpara frymën e tij të përkushtimit, dashurisë për kombin dhe besimin në vlerat e vërteta. Përmes veprës së tij, ai vazhdon të frymëzojë e të udhëzojë shpirtrat tanë, duke na kujtuar se e mira, e vërteta dhe drejtësia janë themelet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e ndritur.
Biografia: Dr. Don Gasper Gjini lindi në Ferizaj më 24 shtator 1930, nga prindërit Kola dhe Dushe Gjini, një familje e madhe dhe bujare me 12 fëmijë. U shugurua meshtar më 2 korrik 1955. Pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi veprimtarisë baritore dhe shërbimit meshtarak, fillimisht si sekretar i ipeshkvit, më vonë si kancelar, famullitar në Ferizaj dhe, së fundi, deri në vdekjen e tij, në Shkup. Për shumë vite ishte kryetar i Gjyqit Kishtar Dioqezan, studiues i palodhur i së kaluarës sonë fetare e kombëtare dhe bashkëpunëtor i zellshëm i gazetës “Drita”. Ai, doktoroi në Romë për të drejtën kanonike në universitetin e njohur “Propaganda Fide – Urbaniana”, në vitin 1968, me temën “De fontibus historico-juridicis Ecclesiae Scopiensis” (Mbi burimet historiko-juridike të Kishës së Shkupit), të cilën e shkroi dhe e mbrojti në gjuhën latine me suksesin më të lartë dhe lavdërime. Këtë temë e zhvilloi më tej dhe e botoi në gjuhën kroate me titullin “Skopsko-Prizrenska biskupija kroz stoljeća” (Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj), KS – Drita, 1986, fq. 240. Po ashtu, ka përpiluar dhe botuar librin e uratëve “Shujta shpirtërore”, Drita, 1978, 1986. Mbi të gjitha, ai ishte meshtar, predikues i palodhur dhe i palëkundur, guximtar në mbrojtjen e së vërtetës dhe të drejtës, kujdestar i zellshëm për të sëmurët, baba i mirë dhe bujar për skamnorët. Jeta dhe vepra e tij janë një përmendore e gjallë shpirtërore dhe fetare-kulturore për mbarë popullin tonë shqiptar. Dr. Don Gasper Gjini ishte i pari që dha një paraqitje panoramike të historisë së krishterimit ndër shqiptarë, nga koha apostolike deri në ditët tona. Kjo pasqyrë e së kaluarës sonë, të lavdishme e shpesh të përgjakshme, do të mbetet dritë dhe udhërrëfyese për një të ardhme më të mirë.
Lavdi veprës së tij të pashuar. Pushoftë në paqe dr. don Gaspër Gjini!

