Një muaj paraburgim për dy të arrestuarit tjerë në rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit

Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e ndalimit për 30 ditë të dyshuarve për përfshirjen në zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, bëjnë të ditur burime të KosovaPressit.

Të enjten Prokuroria ka bërë të ditur se janë ndaluar dy persona lidhur me rastin e zhdukjes Bedri Rexhepit.

“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë ndaluar dy (2) persona lidhur me rastin e zhdukjes së personit me inicialet B.R. Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se dy (2) personat janë ndaluar për veprën penale ‘Rrëmbimi’ nga neni 191 të KPRK-së… Me rastin e arrestimit të këtyre dy personave janë sekuestruar edhe disa prova materiale të cilat do të shërbejnë për procedurë të mëtutjeshme penale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Siç u bë e ditur, të arrestuarit e djeshëm janë vëllai dhe kunata e Jeton Vllasaliut, të dyshuarit për përfshirjen në zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Jeton Vallasaliu, i arrestuar në prill të vitit të kaluar, dyshohet të jetë i përfshirë në zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepit. Ai ndodhet në paraburgim tash e katër muaj.

Go to TOP