Një dashuri “idilike” e paketuar në interesa ekonomike

Ilir KRASNIQI

Pozicioni politik i Serbisë asnjëherë nuk ka qenë më i rëndë. Kështu theksoi presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic pas një takimi me kreun e diplomacisë gjermane Annale Baerbock duke nënvizuar se ky pozicion është komplikuar më shumë me deklaratat e presidenti rus Vladimir Putin.

Kjo tragjedi e dashurisë  në mediet serbe ishte përshkruar si një thikë pas shpine nga rusët, qe ishte përmbledhur  me një togfjalësh të shprehur nga “hozyayini” rus Putin i cili u vishkulloi veshët politikës zyrtare të Serbisë pas një takimi me kreun e organizatës botërore Antonio Guterres, ku bëri një analogji mes shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe dy territoreve në rajonet e Ukrainës të njohura nga Rusia, duke njohur vendimin e GJND për Kosovë.  “Doktrina e Putinit” kur është fjala për politikën e jashtme në raportet ndërkombëtare të presidentit rusë që përhapej si zjarri në mediet serbe tani kanë filluar ta konsiderojnë atë si toksike për politikën e jashtme të Serbisë. Kujdestarëve të   kësaj ngjarje në rolin e astrologëve  duke  hapur letrat, u rezultoi se nuk bëhet fjalë për dashuri por një interes lakuriq. Një deklaratë të ngjashme e kishte shprehur edhe vite më parë .

Në gjithë këtë qëndrim të presidentit rus Putin asgjë e re, përveç një refreni në rrethana tjera, të raportuar nga hapësira e tastaturës.  Majfton ti referohemi sloganit të Putinit se “ne nuk braktisim tonën” në rastin e arrestimit të oligarkut Viktor Medvedchuk, një aleat i dashur i tij ukrainas për të cilin thuhej se ishte planifikuar të vëhej në krye të një qeverie kukull në Ukrainë, në rast se do të arrihej të përmbysej qeveria aktuale, për të parë dallimin midis dashurisë dhe interesit të cilën nga miopia e tij politike nuk mund ta dallojë  Aleksandër Vulin i cili thekson se Serbia nuk ka udhëhequr luftë për Rusinë por Rusia për shkak të tyre. Por kronologjia historike e demanton atë.  Se nuk ka miqësi në politikën ndërkombëtare por të përjetshme janë vetëm interesat këtë e di Vucici. “Por çka do të bëjmë me sytë e uritur dhe pjatat e zbrazëta”, ku në mënyrë figurative do të përshkruhej deklarata e presidentit të Serbisë Aleksandër Vucic I cili tha se për presionet ndaj Beogradit për të vendosur sanksione ndaj Rusisë do të flasë më 6 maj, por se ka nga ata që nuk kanë përgjegjësi dhe flasin lehtësisht për këtë, sepse nuk janë të interesuar nëse Serbia do të duhet të hajë nesër dhe do të jetë në gjendje të mbijetojë.

Pikërisht ai ka zgjedhur 6 majin kohën kur skadon marrëveshja 6 mujore me Moskën për furnizim me gaz me çmime të volitshme.  “I kërkoj njerëzve të kuptojnë dhe të shohin se sa shteti po lufton çdo ditë për të ruajtur standardin e jetesës dhe të mos e vërejnë atë që po ndodh”, tha Vuçiq.  Shpresat e mëdha  Vuçiq i kishte vendosur me supozimin se  lufta në Ukrainë do të përfundojë së shpejti, por që duket se po shuhen çdo ditë e më shumë.  Veçmas pas takimeve të zhvilluara në Berlin. Edhe disa muaj që ai do të mund t’i blejë shtesë përmes procesit të formimit të qeverisë nuk do të sjellin ndonjë ndryshim drastik. Serbia vetë e ka të deklaruar orientimin e saj të integrimit evropian. Dhe në këtë drejtim nga Serbia ka presion per harmonizimin e politikës së jashtme me atë të BE.

Testi i raporteve në tentativën për shmangien e sanksioneve

Në kuadër të pakos së gjashtë të sanksioneve  të BE ndaj Rusisë një nga ato është embargo në naftën ruse e cila do të fillojë gradualisht deri në nëntor kur do të zbatohet tërësisht.   Aktualisht Moska ka vetëm një lev në duar furnizimet energjetike dhe çmimin e tyre. Gaspromi është pronarë i shumicës së Industrisë së Naftës së Serbisë. Më herët Beogradi ka pasur një plan për të cilën është biseduar ku si një nga variantet e shmangies së sanksioneve ndaj Rusise ishte të ndërrojë titullarin e INS.  

Por pala ruse deri më tani nuk është deklaruar rreth shitjes së pjesës së saj. Aktualisht sipas medieve nga Beogradi, 70 për qind të nevojave të tregut të brendshëm i mbulon INS nga rafineritë e saj. Ekspertë për politikën energjetike Miodrag Kapor tha se INSD funksionon si “shtet në shtet”, dhe se do të ishte mirë që kompania të kalojë në duar të pronarit mbi të cilin shteti ka kontrollin e vet, për arsye gjeopolitike. “Për këtë arsye do të ishte mirë që përqindja më e madhe e pakos të kalojë në duart tjera, madje edhe kompani nga Serbia. Nëse do të ndërronte pronësia e INS, nuk do të ketë probleme me furnizime me naftë dhe se ajo do të vinte nga Janaf”, tha Kapor.

Për këtë variant ka diskutuar pala serbe që ka pjesën më të vogël. Por jo edhe pronarët rusë të INS.  Prania e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në ceremoninë me rastin e fillimit të punimeve për ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm natyror në Aleksandropolis duket si një sinjal për partnerët perëndimorë se Beogradi po kërkon një alternativë ndaj gazit rus, megjithëse ai  projekt port shumë arsye për shpenzuesit e “lëngut të kaltër” nuk konsiderohet të jetë alternativë.  Problemi kryesor janë sasitë në të cilat Serbia mund të llogarisë, meqë ajo nuk po merr pjesë në ndërtimin e atij terminali. Sipas vëzhguesve mbështetja e Vuçiqit për ndërtimin e terminalit ka një dimension politik për t’u treguar vendeve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara se Serbia po kërkon një alternativë ndaj gazit rus, të cilën Brukseli dhe Uashingtoni e presin nga Beogradi për shkak të sanksioneve kundër Moskës për ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë.

Agjencia ruse TASS  bëri të ditur se gjatë ditëve të ardhshme Serbia do të fillojë bisedimet për marrëveshjen e re për furnizime me gaz nga federata ruse. “Bisedimet midis Moskës dhe Beogradit për marrëveshjen e re afatgjate për furnizime me gaz do të fillojë pas disa ditëve”ka thënë Vucic, para medieve në Berlin. “Nëse Serbia do ti bashkohet sanksioneve apo jo, kjo nuk impresionon askend në Rusi. Nga ana tjetër ne kemi interesat tona nacionale në lidhje me Kosovën dhe çështje tjera ku Rusia mbështet qëndrimin tonë. Deri më tani në KS të OKB na ka mbështetur Rusia dhe Kina”, tha ai. Krerët gjerman  e kanë shprehur në mënyrë të qartë se nëse Serbia nuk i bashkohet sanksioneve ajo vetveten do ta përjashtojë nga rruga e integrimeve evropiane. Dhe kjo nuk është çështje e presionit, ashtu sic flet shpesh Vucici, duke u përpjekur të heq përgjegjësinë nga vetja duke krijuar një atmosferë në të cilën ndaj serbëve po bëhet presion. Nese Serbia nuk harmonizon politiken e saj te jashtme me ate te BE, kjo e fundit ka bere te qarte se mund të ndalë investimet, fondet e BE si dhe suspendimin e të gjitha negociatave për anëtarësim  deri te sistemi i vizave.  

Go to TOP