Nimani ngre alarmin për pasigurinë ekonomike: rritje dramatike e mbitërheqjeve bankare në Kosovë
Në një analizë të detajuar, Prof. Asoc. Dr. Artan Nimani nga Forumi Intelektual Europa 2023 vë në pah rritjen dramatike të mbitërheqjeve bankare në Kosovë, një trend që sipas tij sinjalizon përkeqësimin ekonomik dhe pasigurinë financiare për shumë qytetarë.
“Sipas të dhënave, pas vitit 2020 ka pasur një rritje të ndjeshme të mbitërheqjeve, veçanërisht në periudhën 2021-2023. Ky fenomen, i cili përfshin 471 milionë euro mbitërheqje vetëm gjatë vitit 2023, pasqyron presionin financiar mbi familjet dhe individët që përballen me inflacionin e lartë dhe papunësinë”, ka shkruar ai.
Prof. Nimani kritikon qeverinë për dështimin në miratimin e masave që do të përmirësonin standardin e jetesës, duke e përshkruar si një “dështim të politikave” që ka çuar në varësi nga kreditë dhe mbitërheqjet.
Sipas analizës, qytetarët po përballen me një cikël të pafund borxhi dhe rritje të detyrimeve përmes interesave të larta, që po ndikon negativisht në mirëqenien e tyre të përgjithshme.
Eksperti rekomandon reforma të menjëhershme, duke përfshirë rritje të pagave, mbështetje sociale dhe edukim financiar, për të ndihmuar qytetarët të menaxhojnë më mirë financat e tyre dhe për të krijuar një ekonomi më të qëndrueshme. /Kosova.info/
