Nimani: Mjaft me poshtërimin e Gjakovës, qytetarët meritojnë përgjigje për votat e subjekteve serbe

Ish ushtari i UÇK-së, Artan Nimani ka reaguar ashpër lidhur me rezultatin e votave të subjekteve politike serbe në Komunën e Gjakovës duke e cilësuar situatën si të dhimbshme dhe fyese për historinë dhe sakrificën e qytetit.

Përmes një reagimi publik, Nimani ka thënë se Gjakova, si qytet i martirëve, dëshmorëve dhe i Brigadës 137 të UÇK-së, nuk meriton të shndërrohet në objekt të eksperimenteve politike dhe zgjedhore.

“Gjakova nuk është një qytet i zakonshëm. Është qyteti i Brigadës 137 të UÇK-së, i sakrificës, i masakrave dhe i qëndresës shqiptare. Prandaj është e dhimbshme dhe revoltuese të shohësh qindra vota për subjekte politike serbe në një komunë ku jetojnë vetëm 3-4 banorë serbë”, ka deklaruar ai.

Sipas Nimanit, kjo çështje tejkalon statistikat zgjedhore dhe prek respektin ndaj historisë, gjakut të derdhur dhe dinjitetit të qytetit.

Ai ka kërkuar sqarime nga institucionet përkatëse duke ngritur pyetje mbi origjinën e këtyre votave dhe mënyrën se si ato janë regjistruar në Gjakovë.

“Qytetarët meritojnë përgjigje të qarta. Kush i solli këto vota? Si ndodh kjo? Kush po përpiqet ta paraqesë Gjakovën ndryshe nga ajo që është?”, ka theksuar Nimani.

Në fund, ai ka paralajmëruar se historia dhe sakrifica e Gjakovës nuk mund të manipulohen për interesa politike duke e cilësuar të papranueshme çdo përpjekje që, sipas tij, njollos identitetin dhe krenarinë e qytetit. /Kosova.info/

Go to TOP