Nikolla Vujoviq, ish-shtetas i Kosovës dhe pjesëtar i inteligjencës serbe, do të largohet me forcë nga territori i Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka filluar procedurat për largim me forcë nga territori i Republikës së Kosovës ndaj personit Nikolla Vujoviq, ish-shtetas i Kosovës dhe njëkohësisht shtetas i Serbisë, i cili dyshohet se ka qenë pjesëtar i inteligjencës së policisë serbe.

Bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për humbjen e shtetësisë me privim, Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, ka ndërmarrë veprimet e parapara me ligj për zbatimin e këtij vendimi. Personit në fjalë i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj, deri në përmbushjen e kushteve për ekzekutimin e vendimit për largim me forcë.

Sipas Policisë së Kosovës, procedura po zhvillohet në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi që rregullojnë çështjet e shtetësisë dhe të migracionit. Vendimi për largim me forcë është lëshuar tashmë dhe pritet të ekzekutohet pasi të përmbushen të gjitha kushtet ligjore dhe administrative.

Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë të zbatojë me përkushtim detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore duke garantuar sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit, si dhe respektimin e të gjitha vendimeve të institucioneve shtetërore. /Kosova.info/


Go to TOP