Nigeria mirëpret ndërhyrjen amerikane kundër grupeve militante

Pasi presidenti amerikan Trump kërcënoi se do të urdhërojë ndërhyrje ushtarake në Nigeri për të ndaluar sulmet kundër krishterëve, nga qeveria nigeriane kanë thënë se do të mirëpresin çfarëdo ndihme për t`i luftuar grupet e ndryshme që veprojnë në këtë vend afrikan.

Qeveria nigeriane ka thënë se do të mirëpres ndihmën amerikane për të luftuar grupet e armatosura të cilat veprojnë në territorin e këtij shteti afrikano perëndimor.

Reagimi i qeverisë Nigeriane erdhi pasi që presidenti amerikan Donald Trump, përmes një postimi, tha se do të urdhëron ndërhyrje ushtarake në Nigeri në rast që qeveria në Abuja nuk bën çdo gjë që është e mundur për të ndaluar, siç tha Trump “vrasjet e të krishterëve”. Trump shtoi edhe se tanimë ka urdhëruar forcat e armatosura të fillojnë të përgatiten për ndërhyrje të shpejtë në shtetin më të populluar të Afrikës.

Edhe pse zyrtarët nigerian thanë se do të mirëpresin ndihmën amerikane për të luftuar militantët, ata gjithashtu kërkuan që SHBA-ja ta respektojnë integritetin territorial të vendit dhe mohuan se krishterët viktimizohen më shumë se cilido grup tjetër fetar.

Grupet e ndryshme të armatosura, përfshirë edhe disa grupe të fuqishme islamike, që 15 vjet janë duke luftuar kundër forcave qeveritare dhe duke sulmuar caqe civile. Edhe pse në mesin e viktimave të tyre ka të krishterë, analistët cekin se numri më i madh i viktimave të militantëve vijnë nga komuniteti mysliman i vendit.


Go to TOP