Nga burgu në Shqipëri, në Parlamentin Evropian si deputet i Greqisë

Zgjedhja e Alfred Belerit si deputet i Parlamentit Evropian shkaktoi polemika – si për legjitimitetin e tij, ashtu edhe për ndikimin e rastit të tij në integrimin evropian të Shqipërisë.

Beleri, kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës në Shqipëri, por i dënuar me dy vjet burgim për vjedhje votash, fitoi ulëse në Parlamentin Evropian si përfaqësues i partisë udhëheqëse në Greqi, Demokracia e Re.

Juristë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se rasti i tij ngre shqetësime kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tyre, ai mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në marrëdhëniet e saj me Greqinë.

Në shoqatën e minoritetit grek në Shqipëri “Omonia”, megjithatë, besojnë se çështjet e tij ligjore në Shqipëri do të zgjidhen përpara konstituimit të Parlamentit Evropian.

Beleri, sipas mediave greke, renditet i katërti mes shtatë deputetëve që siguroi Demokracia e Re e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Sipas raportimeve të tyre, ai mori pjesë përmes video-lidhjes nga burgu në një takim të Mitsotakisit me eurodeputetët e zgjedhur, që u mbajt të martën.

Kush është Alfred Beleri?

Alfred Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, ishte kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës – qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë – në zgjedhjet e majit të vitit 2023.

Ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash.

Pavarësisht se ishte në paraburgim atëkohë, Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk u betua kurrë.

Në mars të këtij viti u dënua me dy vjet burgim, por vendimi u apelua nga avokatët e tij.

Beleri gjatë gjithë kohës i mohoi akuzat.

Rasti nxiti kritika të mëdha në Athinë, ku Ministria e Jashtme tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.

Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor.

A është problematike zgjedhja e Belerit deputet i PE-së?

Ministria e Jashtme greke nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë pret tani në lidhje me zgjedhjen e Belerit. Ngjashëm as partia e kryeministrit grek, Demokracia e Re.

REL-i kërkoi edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ta komentojë zgjedhjen e tij, por ai nuk pranoi.

“Unë nuk kam asnjë koment për të. Unë jam në Prishtinë”, tha Rama më 10 qershor, teksa po merrte pjesë në një ngjarje për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

“… për fat, një nga gjërat që akoma nuk mund të bëjmë në këtë rast – edhe një hall më pak – është të merremi me zgjedhjet e Parlamentit Evropian, sepse nuk jemi akoma në Bashkimin Evropian. Kështu që, kur të shkojmë në BE, kur të kemi zgjedhje për Parlamentin Evropian, do ta kuptojmë më mirë se si janë këto punë”, deklaroi Rama.

Në të kaluarën, Rama i ka hedhur poshtë pretendimet e Belerit dhe të pakicës greke në Shqipëri se rasti kundër tij është politik. Sipas Ramës, ai është thjesht çështje e drejtësisë.

Juristi dhe ish-nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Shqipëri, Kreshnik Spahiu, sheh kontradiktë në zgjedhjen e Belerit për dy poste të ndryshme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe presidenti duhet të kishin shpallur zgjedhje të parakohshme në Himarë, pasi Demokracia e Re e shpalli [Belerin] kandidat. Sepse, Ligji për qeverisjen vendore e përcakton kështu”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Aktualisht, [Beleri] prezumohet i pafajshëm, pasi nuk ka vendim të formës së prerë. Mendoj se procesi penal duhet të përshpejtohet dhe Gjykata e Apelit të shprehet nëse është fajtor apo i pafajshëm”, shton ai.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Presidencës së Shqipërisë për këtë çështje më 10 qershor, por ajo kërkoi kohë për t’u përgjigjur, ndërsa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thanë se me shpalljen e rezultatit përfundimtar – që përfshin edhe dhënien e mandatit për Belerin – puna e këtij komisioni për këtë proces ka përfunduar.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, thotë se do të jetë vendimi i Gjykatës së Apelit ai që do t’i japë zgjidhje situatës së krijuar.

Seanca do të mbahet më 14 qershor.

“Nëse shpallet fajtor, vepron ligji për dekriminalizim dhe ndërpritet mandati i tij si kryebashkiak. Kjo është një çështje që nuk ka lidhje me zgjedhjen e tij si eurodeputet”.

“Nëse shpallet i pafajshëm, do të duhet një interpretim ‘in extremis’. Në ligj thuhet se mandati i kryebashkiakut është i papajtueshëm me atë të deputetit, që mund të interpretohet edhe ‘eurodeputetit’, por që ligji nuk e ka parashikuar”, shpjegon Kume për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Beleri nuk do të mund të jetë edhe kryetar bashkie, edhe eurodeputet – ai do të duhet të zgjedhë.

“Për mua, ai është dashur të lejohej ta bënte betimin dhe zgjidhja do të kishte ardhur shumë kohë më parë, sepse në ligj thuhet se, nëse tre muaj pas betimit nuk paraqitet në zyrë, mandati i kryebashkiakut ndërpritet”, thotë Kume.

Kreu i shoqatës së minoritetit grek në Shqipëri “Omonia”, Marin Suli, thotë se Beleri ka deklaruar se, nëse shpallet i pafajshëm, ai do të zgjedhë mandatin e kryebashkiakut të Himarës.

Por, fakti që Beleri ndodhet në burg, thotë Suli, nuk do të përbëjë ngërç apo problem për të as për ushtrimin e detyrës së deputetit.

“Beleri e përfundon më 12 shtator dënimin prej dy vjetësh, sipas përllogaritjes së konvertimit të kohës së paraburgimit, ndërsa Parlamenti Evropian konstituohet në fund të shtatorit”, thotë Suli.

Ai, po ashtu, sqaron se me Kushtetutën e Greqisë, kandidimi në zgjedhje ndalohet vetëm kur ka një vendim gjykate që ia heq individit të drejtën për të garuar dhe për t’u zgjedhur.

Ky nuk është rasti me Belerin, thotë Suli.

Verifikimi i deputetëve të Parlamentit Evropian

Rregullorja e Parlamentit Evropian përcakton se pasi rezultatet e zgjedhjeve të jenë zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlamentin Evropian dhe Presidenti, në anën tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për t’i shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës.

Rasti Beleri përbën dallim nga eurodeputetët e tjerë, pasi është zgjedhur në Greqi – vend i Bashkimit Evropian – dhe vuan dënimin me burgim në Shqipëri – vend që nuk është anëtar i BE-së.

Si do të ndikojë ky rast në integrimin evropian të Shqipërisë?

Ish-ambasadori shqiptar, Agim Nesho, thotë se zgjedhja e Belerit si deputet i Parlamentit Evropian nga Greqia do të ketë ndikim në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, por edhe në marrëdhëniet mes Tiranës e Athinës.

“Kandidimi i Belerit është një kartë që kryeministri grek e ka luajtur për ta tërhequr pjesën ekstreme të politikës greke, për të votuar në një çështje të ndjeshme siç është minoriteti grek në Shqipëri. Në këto kushte, do të kemi një moment që nuk do të jetë në interes të Shqipërisë dhe do të ndikojë në qëndrimin e Greqisë sa u takon përpjekjeve të vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian”, thotë Nesho për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministri Rama “duhet të reflektojë”, shton ai.

Shqipëria i ka hapur formalisht negociatat për anëtarësim në BE. Por, vendimet për zgjerimin e bllokut – ku Greqia bën pjesë – merren me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare, që aktualisht janë 27.

Për Spahiun, çështja Beleri nuk do të ketë ndikim në rrugën e integrimit të Shqipërisë.

Interesat e Greqisë për Himarën, thotë ai, janë politike, ekonomike dhe gjeopolitike.

“Janë politike, sepse përmes Himarës, Greqia do të mund të krijojë një asociacion të bashkive të minoritetit grek [në Shqipëri], bashkë me Finiqin dhe Dropullin. Janë interesa ekonomikë, sepse kjo bashki është perla e rivierës shqiptare dhe ka vijën më të gjatë bregdetare, duke qenë epiqendra e zhvillimit të turizmit në vend. Dhe gjeopolitike, sepse të gjitha investimet e oligarkëve grekë, apo rusë, përgjithësisht janë të fokusuara te turizmi”, thotë Spahiu.

“Pra, mendoj se për Himarën nuk luhet për Belerin si individ, apo për korrupsion me blerje votash, por për interesa që kalojnë kufijtë e Shqipërisë, për influencë – Perëndim apo Lindje”, shton ai.

Pse është e rëndësishme Himara?

Himara është një bashki që shtrihet përgjatë bregut të Detit Jon.

Ajo është një bashki e pasur me burime ekonomike, me përqendrim te turizmi, peshkimi, blegtoria e ullishtat.

Sipas numërimit të fundit të popullsisë, më 2011, Himara ka rreth 16.700 banorë.

Prej vitit 2011, shteti shqiptar nuk e njeh më kombësinë në Regjistrin e Gjendjes Civile.

Nga të dhënat e analizuara në regjistrin e vitit 2008, rezulton se në Bashkinë Himarë 2.59 për qind e individëve kanë kombësi greke, të njohur zyrtarisht nga shteti shqiptar.

Pakica etnike greke e Shqipërisë, e cila jeton kryesisht në jug të vendit, bëhet shpesh burim i tensioneve mes Athinës dhe Tiranës. Greqia pretendon se Shqipëria i shkel të drejtat e saj, por Shqipëria e mohon.

Go to TOP