FFK ankohet në UEFA për mesazhet shoviniste në ndeshjen Serbi – Angli

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë zyrtare në UEFA për shkak të shfaqjes së flamujve, sloganeve dhe thirrjeve politike, shoviniste dhe raciste nga tifozët serbë kundër Kosovës gjatë ndeshjes Serbi – Angli, e vlefshme për Euro 2024.

FFK thekson se shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhor si Euro 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Këto thirrje, sipas FFK-së, dëshmojnë urrejtjen e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjëve të saj.

Në ankesën e paraqitur, FFK ka dorëzuar të gjitha dëshmitë e nevojshme dhe ka kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, e cila është recidiviste në raste të tilla.

Federata e Futbollit e Kosovës gjithashtu ka kërkuar vigjilencë nga organizatori për të evituar shfaqjen e banderolave të tilla në ndeshjet e ardhshme, pasi ato përbëjnë shkelje të rëndë të rregullave të UEFA-së.

“Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit. FFK qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerave të futbollit dhe promovimit të asaj që UEFA përfaqëson: unitet, gjithpërfshirje dhe pasion për lojën e futbollit. Njëkohësisht, me vendosmëri mbron dinjitetin e shtetit të Kosovës, i cili është krijuar me shumë mund dhe sakrificë”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Federata i bën thirrje UEFA-së që të sigurohet që persona me sjellje dhe filozofi të urrejtjes ndaj një populli dhe shteti tjetër të mos kenë vend në arenat e futbollit.

“Futbolli dhe eventet si Euro 2024 nuk duhet t’u shërbejnë shovinistëve dhe racistëve për promovim të gjuhës së urrejtjes”, thuhet në fund të reagimit.

Go to TOP