Netanyahu pritet të takohet sot me Bidenin dhe Harrisin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të qëndrojë të enjten, më 25 korrik, në Shtëpinë e Bardhë, ku do të takohet me presidentin Joe Biden, dhe nënpresidenten, Kamala Harris, e cila ka shprehur synimin e saj për të garuar për postin e presidentes. Këto takime do të zhvillohen në një moment të rëndësishëm për të tre politikanët.

Vizita e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë – e para që kur ish-presidenti Donald Trump përfundoi mandatin më 2020 – vjen në kohën e rritjes së presionit ndaj tre udhëheqësve që të gjejnë një zgjidhje për luftën 9-mujore, që ka lënë mbi 39.000 të vdekur në Gazë. Po ashtu, dhjetëra pengje izraelite, dhe mbetjet mortore të të tjerëve që kanë vdekur në robërim, po mbahen ende nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Biden po kërkon nga Izraeli dhe Hamasi që të arrijnë pajtim për propozimin e tij, që parasheh lirimin e pengjeve që ende po mbahen në Gazë, përmes tri fazave.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se negociatat janë në fazat finale, por ende ka disa çështje që duhet të zgjidhen.

Pas bisedimeve, Biden dhe Netanyahu do të takohen me familjarët e pengjeve amerikane.

Harris, e cila më pas do të takohet ndaras me Netanyahun, po tenton të demonstrojë se ka aftësi që të shërbejë si komandante supreme. Ajo po ashtu është nën llupën e politikanëve të majtë që thonë se Bideni nuk ka bërë mjaftueshëm që ta detyrojë Netanyahun që t’i japë fund luftës dhe republikanët po synojnë ta paraqesin Harrisin si politikane që nuk ka dhënë mbështetje të mjaftueshme për Izraelin.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se presidenti dhe nënpresidentja nuk kanë asnjë dallim sa i përket Izraelit.

Për herë të fundit, Harris dhe Netanyahu kanë zhvilluar takim dypalësh në mars të vitit 2021, por ajo ka marrë pjesë në mbi 20 telefonata të zhvilluara mes Bidenit dhe Netanyahut.

Netanyahu po ashtu gjendet në një moment të djeshëm politik. Ai po përballet me presion nga familjet e pengjeve në Izrael, të cilët po kërkojnë që të arrihet një marrëveshje armëpushimi e cila do të mundësonte lirimin e familjarëve të tyre. Ndërkaq, në anën tjetër anëtarët e ekstremit të djathtë të koalicionit të tij qeverisës po i kërkojnë udhëheqësit izraelit që të mos pranojë asnjë marrëveshje që do t’ua pamundësonte trupave izraelite të eliminojnë Hamasin.

Një ditë më herët, Netanyahu mbajti një fjalim para Kongresit amerikan, ku tha se lufta e shtetit të tij kundër Hamasit, që mbështetet nga Irani “po mban trupat amerikane larg nga terreni dhe po mbron interesat tona të përbashkëta në Lindjen e Mesme”.

“Mbajeni mend: Armiqtë tanë janë edhe armiqtë tuaj. Lufta jonë është lufta juaj. Fitorja jonë do të jetë edhe fitorja juaj”, tha ai para ligjvënësve amerikanë.

Gjatë fjalimit, Netanyahu lavdëroi Bidenin për mbështetjen pas sulmit të 7 tetorit, kur Hamasi vrau 1.200 persona në jug të Izraelit, dhe rrëmbeu 250 të tjerë.

Gjatë fjalimit, Netanyahu po ashtu përmendi veprimet e ndërmarra nga Trumpi gjatë mandatit të tij presidencial, nga të cilat ka përfituar Izraeli, përfshirë njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi Lartësitë e Golanit, luftimin e agresionit të Iranit dhe zhvendosjen e Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

Netanyahu pritet që të premten të udhëtojë për në Florida, ku do të takohet me kandidatin republikan për president, Donald Trump.

Go to TOP