Nesër nisin dëgjimet e kandidatëve për Komisionerë në Parlamentin Evropian, pasuesja e Borell del para PE më 12 nëntor
Dëgjimet e kandidatëve për komisionerë do të nisin nesër në Parlamentin Evropian, ku do të vlerësohet nëse kandidatët janë të kualifikuar për të shërbyer në Komisionin e ri Evropian. Gjatë këtij procesi, të 26 kandidatët do të paraqiten përballë komisioneve të Parlamentit deri më 12 nëntor.
Seanca dëgjimore për kandidaten për Komisionere për Zgjerim, Marta Kos nga Sllovenia, do të zhvillohet më 7 nëntor përpara Komisionit për Punë të Jashtme të PE. Ndërsa më 12 nëntor, Kaja Kallas, e cila është emëruar Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, do të dëgjohet nga i njëjti komision.
Secila seancë dëgjimore do të zgjasë rreth tre orë dhe do të nisë me një fjalim hyrës 15-minutësh nga kandidati, pas të cilit deputetët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Sipas njoftimit të Parlamentit Evropian, çdo seancë do të pasohet nga një takim ku kryetarët e komisioneve dhe koordinatorët e grupeve do të vlerësojnë performancën e kandidatit.
Pasi të përfundojë ky proces, Konferenca e Kryetarëve të Komiteteve do të shqyrtojë rezultatet dhe do të paraqesë rekomandimet e saj në Konferencën e Kryetarëve.
