Nesër në Gjilan fillon `BookFest`me mbi 2,500 tituj

Nesër në Gjilan fillon festivali “BookFest”, i cili do të jetë i hapur deri më 23 shkurt. Ky festival, që ka lëvizur nga Prizreni në Prishtinë, tash në Gjilan. Latif Mustafa, organizator, theksoi se do të ekspozohen mbi 2 500 tituj të librave. “Kemi organizuar shumë lojëra për fëmijë, kuisë, vizatime, lojëra të cilat nxisin mendimin kritik, mendimin kreativ, logjik. Nuk është thjesht shitje libri, por një festë libri”, tha Mustafa.

Në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ai tregoi se organizimi i “BookFest”-it nga libraria “Dukagjini” është iniciativë për ta thyer rutinën tonë të përditshme. 

“Qëllimi është të krijojmë fenomen kulturor, zhvillim kulturor dhe ta afrojmë librin sa më afër lexuesit, pa pasur nevojë të vijë lexuesi te ne”, tha ai.

Ndër të tjera, ai shtoi se karakteristikë e “BookFest”-it është sepse organizohet në hapësira të gjëra publike, në të cilat qarkullojnë njerëzit.

Mustafa pohoi se kur punon njeriu me libra takon tre lloje të njerëzve: njerëzit më të mirë të shoqërisë që e duan librin, ata që lexojnë dhe ata që shkruajnë.

“Autor është gjithkushi që shkruan me autoritet për një çështje. Shkrimtar mund të jetë secili, por autor është njeriu që shkruan një libër me kompetencë dhe bart përgjegjësi për atë libër, tekst. Shoqëria është orientuar kah biznesi dhe ndërmarrësia, që është gjë e mirë për shoqërinë tonë në zhvillim. E gjersa mirëqenia ekonomike rritet në shoqëri, është normale që problemet psikologjike shoqërore të shfaqen dhe me rritjen e ekonomisë dhe zhvillimit e orëve të gjata të punës, shohim që njerëzve u mungon romanca e vërtetë, përjetimet e vërteta”, shtoi Mustafa.


Go to TOP