Nënshkruhet marrëveshja për lehtësimin e kalimit kufitar në Morinë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ai i Shqipërisë Taulant Balla, kanë nënshkruar marrëveshjen për lehtësimin e procedurave të kalimit në pikën e përbashkët kufitare Morinë/Kukës.

Balla ka publikuar pamje nga ceremonia e nënshkrimit, derisa tha se periudha e përfshirë është nga 1 maj deri më 30 shtator dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt.

“Me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla nënshkruam sot ndryshimet në Protokollin për lehtësimin e procedurave të kalimit në pikën e përbashkët kufitare Morinë/Kukë. Përmes këtij nënshkrimi të këtij protokolli të ri, ne do të mundësojmë lehtësimin e procedurave të kalimit, të verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë – Kukës për të gjithë periudhën 1 Maj – 30 Shtator dhe 1 Nëntor – 28 Shkurt, pra 9 muaj gjithsej në vit, në ndryshim nga protokolli në fuqi që parashikonte 4 muaj, konkretisht vetëm 1 Qershor deri në 30 Shtator. Gjatë kësaj periudhe të qarkullimit të lehtësuar nuk do të ketë kontrolle pasaportash, karta identiteti për shtetasit, e theksoj për shtetasit e të dy vendeve tona“, tha Balla.

Ndërsa, Sveçla tha se do të ketë edhe marrëveshje tjera, që qytetarët të mos ndjenjë në asnjë moment kufizimet.

“Në vazhdimësi po thellojmë bashkëpunimin, jemi të vendosur për më shumë për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve tanë e të jemi sa më efikas në luftimin e krimit në vendet tona. Do të ecim para në marrëveshje të tjera, në mënyrë që qytetarët tanë të mos t’i ndjejnë në asnjë moment kufizimet, as mos ta dinë ku ndodhen realisht, por që janë të mirëseardhur në Kosovë apo Shqipëri, në sezonin veror apo dimëror. Me qasjen burokraci zero, të punojmë që bashkëpunimi të jetë në nivelet më të larta. Edhe Policitë tona të bashkëpunojnë sikurse bashkëpunojnë Departamentet brenda policisë”, tha ministri Sveçla. /Kosova.info/

Go to TOP