Nënkoloneli Veton Elshani tregon çfarë do të ndërtohet në tokën eksproprijuar nga Qeveria në Leposaviq
Një pjesë e serbëve janë duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e disa pronave në Veri të vendit.
E gjithë situata atje po përcillet me propagandë të mediave proqeveritare serbe.
Sipas tyre “Pronarët e pronave, janë habitur kur kanë dëgjuar makina të rënda pranë shtëpive të tyre të shoqëruara nga forcat speciale të Policisë së Kosovës, me shpejtësi janë organizuar dhe kanë qëndruar para makinerive”.
“Pikërisht atë mëngjes qytetarët dëgjuan për herë të parë dhe të vetme se çfarë do të ndërtohet në pronën e tyre, dhe atë nga nënkoloneli Veton Elshani i Policisë së Kosovës, i cili është edhe koordinator i gjithë këtij aksioni”.
E Elshani ka deklaruar se aty do të ndërtohet një stacion policor kufitar.
“Ky do të jetë një stacion policor kufitar, sot biseduam me vendasit dhe u përcollëm atë që dinim. Ata ankohen se një pjesë e varrezave ortodokse është përfshirë në vendimin e shpronësimit, por ky është një gabim teknik dhe gjatë punimeve do të shohim se çfarë mund të bëjmë diçka për këtë. Urdhrat janë urdhra dhe ne respektojmë vendimin e Qeverisë”, ka thënë Elshani.
Vendimet e Prishtinës zyrtare janë portretizuar si “anti-serbe“ nga Lista Serbe si dhe ”Zyra për Kosovën në Beograd”, sipas tyre po synohet “persekutimi i serbëve”.
Të njëjtën qasje e kishin edhe me vendimin e ekzekutivit kosovar për shpronësimet.
