Në QNR përfundon numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta, i realizuar në ditën e zgjedhjeve përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve.
Sipas njoftimit të KQZ-së, procesi i numërimit është përfunduar të mërkurën mbrëma, më 22 tetor 2025, në ora 20:30, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Rezultatet e këtij numërimi tashmë janë pasqyruar në platformën zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve lokale 2025, në adresën: https://resultslocal2025.kqz-ks.org/, në rubrikën “Rezultatet QNR – Nevoja të veçanta (VPNV)”.
Ndërkohë, në QNR vazhdon procesi i rinumërimit të 16 kutive të votimit, të cilat i përkasin 12 vendvotimeve nga komunat Deçan, Gllogoc, Gjilan, Lipjan, Prishtinë, Prizren, Shtime dhe Suharekë.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen pasi të pranohet konfirmimi nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme, se nuk ka më ndonjë çështje që është në trajtim. /Kosova.info/
