Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Presidentja Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale të Meritave, dramaturgun Nexhip Menekshe
Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, më 8 prill, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka pritur në takim përfaqësuesit e komunitetit rom, të udhëhequr nga deputeti Ergjan Galushi, thuhet në një komunikatë të Kosova.info.
Presidenti i uroi përfaqësuesit e romëve për ditën e tyre ndërkombëtare dhe theksoi se Republika e Kosovës është shtet i lirë dhe demokratik në të cilin respektohen standardet më të larta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Sipas presidentes Osmani-Sadriu, komuniteti rom, së bashku me komunitetet tjera, është pjesë e rëndësishme e diversitetit kulturor të Kosovës dhe ka kontribuar në procesin e shtetndërtimit të vendit.

“Në Kosovë, të gjitha komunitetet duhet kenë mundësi të barabarta, sikurse edhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Komuniteti rom ka dhënë kontribut në shtetformim, në ndërtimin e fundamentit të shtetit tonë”, ka theksuar.
Me rastin e kësaj Dite, Presidentja Osmani-Sadriu ka dekoruar post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave, dramaturgun, gazetarin dhe mësuesin e gjuhës rome, Nexhip Menekshe./Kosova.info
