“Në Berat, komandanti i kampit, kapiten Pandi Anastasi, abuzonte me vajzat e internuara, duke…”/ Rrëfimi i Kristina Mark Gjomarkaj

Fatbardha Mulleti (Saraçi)

Memorie.al /publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’, i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili është fryt i një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur të disa prej grave dhe vajzave shqiptare që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, e me rradhë: Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Hatixhe Kopliku, Nafije Kopliku, Vebije Bushati, Budije Bushati, Adile Kazazi, Antonela Dostanishta, Nafije Stërmasi, Luçije Saraçi, Adile Meta, Qeuthere Meta, Feride Damnori, Vitore Ashta, Fetije Vuçiterni, Zehnije Gjylbegu, Xhyhere Kazazi, Luçije Malaj, Sadije Kazazi, Lezinë Toni, Zade Muka, Hava Repishti, Luçije Kurti, Rukije Bushati, Shaqe Logoreci, Qamile Myftija, Marie Ndokëllia, Rozë Çefa, Çilë Staku, Shaqe Marku, Lajde Arapi, Lutfije Barbullushi, Syme Muka, Zenepe Kraja, Fahrije Kazazi, Naxhije Curri, Nexhi Plaku, Lizë Vukeli, Bade Kjaraj, Hava Baçi, Xhehadire Boriçi, Vitore Kalaj, Katerina Benusi, Sofije Baja, Lenë Pjetri, Dava Markagjoni, Mrika Markagjoni, Marta Gjonmarkaj, Bardha Gjon Markagjoni, Kristina Gjomarkaj, Çelestina Gjomarkaj, Mrika Pervizi, Prena Pervizi, Kune Miraka, Sulltana Dine, Vera Dine, Agime Dine, Hamide Çela, Vera Dine, Kadrije Cami, Sanije Sulaj, Meliha Sulaj, Vashe Kola, Prena Llesh Gjeçi, Gjystina Seku, Ilda Melgusha, Agime Pipa (Aranitasi), Terezina Pali, Liza Pali, Adile Boletini, Nasibe Kazazi, Ana Daja, Dila Zef Ndoja, Zyraka Mano, Shanisha Dosti, Zojë Gjeloshi, Drane Stakja, Elena Luli, Sabiha Kasimati, Marije Deda, Marije Shllaku, Biçe Pistulli, Sadije Kazazi, Gjyzepina Çoba, Marta Doda, Frida Satedini, Vitore Kuka, Gjela Llesh Biba, Bardha Cub Marku, Liza Llesh Mali, Bardha Mark Bushkola, Marije Tuci, Olimbi Baruti, Angje Kovaçi, Bedrije Ashikja, Musine Kokalari, Motër Gjeorgjina, Liljana Radovani, Laura Keqi, Mrike Pepa, Mrike Zadeja, Angjelina Shantoja, Naime Koçi, Sheriar Sefa, Vitore Shllaku, Liza Gjon Voci, Nina Shiroka, Laje Mehmeti (RRema), Feride Beshiri (Quku), Hasije Ulqinaku (Quku), Sofije Kali, Çile Gjush Larja, Nurfezo Koprencka, Sanije Gjylbegu, Emilja Shestani, Marije Bregu, Vida Radovani, Nedrete Pipa, Motrat e Osman Kazazit, Safete Jusif Sokoli, Çiljeta Simoni, Lutfije Buashati, Sadije Bushati, Olga Schëeizer Libohova, Evelina e Ndoc Naraçit, Geraldina Apony-Zogu, Hilda Zyma. Marie Rafael, Zade Muka,Rukije Bushati, Hajrie Vrioni, Emine Gjyrezi, Xhemile Beqir Komi, Hedije Dume Repishti, Syme Muka, Fetije Vuçiterni, Sebije Puka, Marjeta Serreqi, Dhurata Sokoli, Klara Miraka (Merlika), Asije Habili, Sose Nik Sokoli, Liri Cenaj, Rudina Dema, Adelajde Miraka, Drane Jakja, Syriha Hasi, Aishe Gogaj, Luçija Kaçaj, Gjyljana Malaj (Pervizi), Nadide Kasaruho, Nadire Kërçiku (Peshkëpia), Shpresa Ballolli (Merdani), Makbule Frashëri, Mishan Çini, Gjyslyme Dervishi (Leka), Natali Arkandi Rozengolc (Pengili), Vigelmina Vitalij Kovaleshko (Veshi), Rukije Rama, Tefta Tasi, Liri Lubonja, Kozara Kati, Shpresa Ngjela, Vera Bekteshi, etj.

Marta e shoqja e Mark Gjomarkut

Gruaja e Mark Gjon Markut, që u vra në mal gjatë rezistencës antikomuniste, u paralizue në internim dhe në të gjitha kampet e transportuan me vig. E internuan bashkë me fëmijët: Kristinën, Çelestinën e Gjonin. Vdiq në internim në vitin 1974, mbas 30 vitesh internim dhe e paralizuar.

Gjon Mark Gjomarkaj

(1938 – 2003)

Kur e internuan, Gjoni ishte fëmijë, vetëm gjashtë vjeç. Ishte djali i Markut, që bëri rezistencë, luftoi kundër komunizmit, deri në flijim, u vra në vitin 1947. Nëna e tij Marta u paralizua që në vitet e para të internimit. Sa herë e transferonin të sëmurën, e bartnin me barelë. Gjoni i vogël u rrit duke patur shoqëruese të përhershme urinë.

I drejtohej Gjoni i vogël nënës së tij:

– Nan´, a ke (uri), se un s’kam (uri)?

Nënë shkreta kuptonte ç´donte të thoshte Gjoni me këtë shprehje, uria e tij pa fund, e dashuria pa kufi për nënën. Ai u rrit me shumë dashuri nga gjyshja, nëna, hallat Marta e Bardha, po ashtu dhe nga motrat Kristinë e Çelestinë. Rritej Gjoni i vogël, mësonte që po mësonte italishten me padër Gardinin (që dhe ai ishte i internuar). E fshehte Gjoni i vogël fletoren nën bluzë (që të mos ia shihte polici) dhe shkonte te mësuesi i tij i nderuar. Mësonte shumë mirë. Frëngjishten e mësoi me Z. Zef Gjeta (ish-Kryetar i Bashkisë Shkodër në vitin 1944), ishte i internuar, ndërsa gjermanishten e mësoi në mënyrë autodidakte.

U rrit djali dhe provoi të gjitha kampet e punës, me apelin dy herë në ditë, në punët më të vështira dhe në distancë të madhe, që duhej të ecte me orë për të shkuar në vendin e punës.

Ja si e tregonte Gjoni, një episod të fëmijërisë së tij:

– Isha në shkollë. Librat i’a merrnim njëri-tjetrit, për arsye se nuk kishim. Në librin e historisë, fotografisë së Enver Hoxhës ia kishin bë sytë me bojë shkrimi. Kur unë e kisha në dorë këtë libër, ma pa polici i kampit. Çdo ditë sapo mbaroja mësimin, isha i detyruem të paraqitesha në zyrën e tij. Ai me tubën e çelësave që kishte në dorë, më binte kokës…, nuk duhej të tregoja, më bënte presion…!

Një ditë gjyshja e dashtun tue më përkëdhelë, i takoi dora tek gungat që kisha në kokë. Ato ishin bë hematoma. U detyrova me i tregu të vërtetën. E mori gjyshja djalin për dore dhe shkuan në zyrën e policit…, ajo e mbrojti nipin e saj të vogël.

Polici i thotë: – Hiqjani djalit emrin e Gjon Markagjonit, se ai është…! Por plaka trime i’u përgjigj: – “Ne e kemi traditë me vu emrat e të parëve tonë, në asnjë mënyrë nuk ia ndërrojmë emrin djalit. Por mos ma prek ma me dorë djalin, se atëherë do të kesh punë me mu…”!

Me shumë vështirësi u regjistrua në shkollën e mesme “18 Tetori”. Ishte në vitin 1956, ishte viti i parë i jetës së kësaj shkolle. Ai ishte nxënës i shkëlqyer, por një fotografi me shokët e klasës nuk e bëri dot. Në fotografitë e nxënësve të kësaj shkolle, nuk janë të pranishëm nxënësit që ishin të internuar, që vinin nga sektorët e internimit, si Savër, Plug, Gradisht..!

Nxënësit e “deklasuar” ishin aq të vuajtur, sa ta ndjenin se duhet të shmangnin ekspozimin, qoftë edhe në një fotografi shokësh shkolle…!

Kësaj kategorie nxënësish, nuk kishin nderin t´ia vinin fotografinë tek tabela “Krenaria e Shkollës”, e jo më t´i jepej e drejta me vazhdue studimet në universitetet tona…!

U rrit Gjoni dhe i provoi të gjitha kampet e internimit, me apelin dy herë në ditë (në mëngjes dhe në mbrëmje) në vendet e punës sa më të vështira dhe sa më larg, duhej të ecte me orë në këmbë, për të shkuar në vendin e punës. Pas 46 (dyzetë e gjashtë) vitesh, në 1991-in u kthye në Shkodër, në shtëpi. Gjon Mark Gjomarkaj, u emërua kryetar i Caritas-it në Shkodër (nga Ivan Dias – ambasadori i Vatikanit), që ndihmoi me ndihma humanitare qytetin dhe Shqipërinë, mandej drejtoi Caritas-in në Mirditë (që drejtohej nga austriakët). Aty ka ndihmuar në rregullimin e kishave, në veçanti në hapjen e shkollave dhe riparimin e tyre.

U zgjodh deputet nga Partia Republikane në Mirditë. U martua…, por fatkeqësisht, jeta ndaloi për të me 19 tetor 2003.

Kristina Mark Gjomarkaj

Kristina Mark Gjomarkajn, e internuan bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Ishte vajzë e  Mark Gjomarkut, që drejtonte rezistencën kundër sistemit komunist, që u vra me 1947-ën.

Kristina na tregon:  – “Isha 12 vjeçe kur na dërguan në lagjen Prru, të Beratit. Nëna ime ishte e sëmurë, i filloi paraliza.  Polici  ruante  në errësirë, për ta vërtetuar a ishte vërtetë  e paralizuar nëna (mendonin se nuk ishte e vërtetë!)

Për arsye të paralizës së nënës, më morën mua 12 vjeçe, më hoqën nga shkolla, e më detyruan me punue me normë. Më larguan nga familja, më çuan me punue në Kuçovë, me gra të huaja. Në një dhomë banonim 20 (njëzet) gra, ato ishin dibrane dhe mirditore. Policët që na ruanin natën, qeshnin, qeshnin ose ma mirë zgërdhiheshin.

Gratë e shkreta kishin shumë vapë në ato ambiente (ishin në stinën e verës), ishte një nxehtësi e padurueshme…! Ato vuanin, ndërsa ata (rojet me pushkë) talleshin me vuajtjet e tyre.

Flinim në tokë, dërrasat ishin të vendosura mbi tokën me lagështirë. Dyshekun që fleja e bëja si thes, mbërtheja veshjet në duar e në këmbë, që të mos më hynin bretkosat në trup…!

Me drapnin në dorë, pritnim misrin…, por aksidentalisht unë preva këmbën. Ishte natë, temperatura më shkoi 40°, isha vetëm, nënën nuk e kisha pranë, ishin të gjitha gra që nuk i njihja. Ato më qëndruan mbi kokë, ndërkohë nuk m’u dha asnjë ndihmë mjekësore!

Punoja me karrocë, përgjatë rrugës ajo më derdhej, se isha e vogël,…por drejtori dhe kapterët argëtoheshin me këto skena, ato vetëm zgërdhiheshin me një të mitur që vuante.

Ne, të internuarat punonim bashkë me të burgosurit në kamp, ecnim për tre, mos me e prishë rreshtin. Pandi Anastasi, ishte kapiteni i të burgosurve dhe të internuarve… një ditë ai thirri një nuse të re nga Kavaja, burri i saj kishte kalue kufirin, me një fjalë, ikë nga Shqipnija, ishte 20 vjeçe, quhej Servete. E izoloi Serveten në fushë, nuk linte t´i afrohej asnjë shoqe, i kërkonte të plotësonte normën…, e torturonte… Por ajo nuk u dorëzua asnjëherë.

Ato femra që arrinte t’i thyente, që i binin në dorë, u jepte bukë, ndërsa ato që rezistonin, i lente me tre ditë pa bukë…! Një djalë të ri,  e rrahu një ditë shumë, gjithë inatin e akumuluar ja shkarkoi. E morën kapitenin, i dhanë një vërejtje për tre muaj, por e prunë përsëri drejtor kampi..!

Një ditë kur po kthehesha nga puna, mbas disa javësh pashë gjyshen time të dashur që nuk e njoha, ajo ishte dobësua aq shumë, nuk kishte mbetur as gjysma e saj…! Ajo shihte vuajtjet tona, të vegjëlit që ishin të detyruem të punonin, uria që na shoqëronte në çdo moment, dy djemtë iu vranë, në rezistencën antikomuniste, Martën – hallën teme e kishin arrestua, po ashtu dhe hallën tjetër Bardhën, axhën e dashur Dedën, e kishin burgosun… kudo dhimbje e mjerim”.

“Në Berat – vazhdon tregimin Kristina – më mbajtën katër vjet. Na fusnin me punue në nxjerrjen e të vdekurve nga varret…!

Në Tepelenë më vunë me punue në bartjen e druve. Isha e vogël, e parritur, ngarkesa e druve për mue, ishte e rëndë, gjatë ecjes drutë takonin tokën. Rojet edhe me këtë skenë qeshnin, talleshin, zgërdhiheshin. Ne, vajzat e reja na fusnin me punue në transportimin e plehut të njomë. Kishte raste që na nisnin për punë në orën 12 të natës. Zakonisht niseshim herët në mëngjes, duhej të banim normën e druve. I ngjiteshim malit të Gjolikut, ngarkonim në shpinë drutë dhe zbritnim malin të ngarkueme, i vendosnim drutë në fushë, duhej të banim këtë punë në verë dhe në dimër.

Më kishin lanë pa shkollë në Berat, në moshën 16  vjeçare, kur ishim të internueme në Elbasan, më dërguan në shkollë. Me vinte turp, isha ma e madhja në klasë. Kam punue në Vidhas në hekurudhë, ku më shumë duhej me punue natën. Të burgosurit punonin ditën, ne të internuarit natën.

Kam marrë pjesë në mbjellje ullinjsh, në mbajtje tullash, në ndërtimin e burgut të Vlorës. I kërkoj nanës fotografitë  e rinisë që i kisha bërë në Savër të Lushnjes – i thashë. -Të lutem, me trego fotografinë e rinisë! Ajo u përgjigj:

-Po ta tregoj fotografinë time, se atë me familje nuk e kam, shumë më kanë humbur gjatë transferimeve, shtegtimet tona ishin të pafund. Ja si e tregon historinë e fotografisë:

– Ishim në Kamëz në Tiranë, ku punonim tjegulla në fabrikë..!  Morëm vesh se në kryeqytet, jepej filmi “Skënderbeu”..! Kishte ardhur një ditë një djalë shkodran, shofer, me pa të afërmit e vet. Sapo u err, na dolëm fshehtas nga kampi, na mori shoferi me makinën e tij, e pamë filmin, u kënaqëm…, në këtë kohë hyna në studio dhe bana një fotografi, por… kur u kthyem, ishte dhanë alarmi në kamp…, atëherë ne u zvarritëm dhe kena hy barkas nën telat me gjemba..! Na udhëhoqi Valentin Previzi, njeriu që kishte mbaru Akademinë Ushtarake në Itali. Në sajë të udhëzimeve të tija, mundëm me hy brenda territorit të kampit, ndërsa burrat që i kapën, i rrahën si zakonisht.

Vazhdoi internimi me dhjetëra vjet, u rrita, tashti punoja në fushat e Myzeqesë, si në Savër, Gjazë, në punim toke, prashitje, vjelje pambuku, punë në diell e në shi, në të ftohtë apo në nxehtësinë e diellit në verë, me dy herë apel në ditë. Gjatë bisedës ajo më tregon një ngjarje, kur ishte e vogël 12 vjeçe në Vlorë:

– Kisha nevojë për mjekimin e dhëmbëve e më shoqëroi polici për te dentisti, ai ishte i pajisur me pushkë dhe vinte pas meje…, Roja me pushkë… fëmijët e rrugës më shanin tuj bërtitur “Vajza që ka vjedhur ”. Gjatë gjithë kohës kam qa, gjithkund tue më poshtënue, tue qa, u ktheva tek nëna jeme, që ishte e paralizume, vetëm ajo me shikimin e saj, me atë dorën që ta vente ëmbëlsisht tek koka, ta largonte vuajtjen, stresin që po provonim që në fëmini, por që më ka mbetur në kujtesë: Jemi në Tepelenë, janë muajt e verës të viteve 1949 – ‘50, ‘51, ‘52, na çonin me transportu bar e pleh, kalonim urën e Dragotit, që ishte e lëvizshme, shkonim me marrë bar të thatë, na banin me bë dy, tre rrugë, nuk na lejonin me ndalue, për me pi ujë… u thamë për ujë!

Me ne vajzat 16 vjeçare ishte edhe Elena Bega (franceze, gruaja e inxhinierit të tharjes së kënetës, së Maliqit), që ishte dënuar gjoja për sabotim. Në një moment të lodhjes së madhe, të etjes së pafund, të tharjes, jo vetëm të gojës, por të gjithë trupit, më lindi mendimi të hidhem nga ura e Dragotit…, me këtë veprim doja të dënoja dhe policin e keq, që na torturonte, që nuk na lejonte të pinim ujë… por shoqet e mija, në veçanti Lajde Miraka, nuk pranoi, ajo më tha “Jam vajzë e vetme, prindërit…”!

Isha e vogël, isha shumë e dëshpërueme, doja të mbysja veten, njëherit edhe policin…! Por edhe ky moment kaloi, shoqet e mia Lajde, Gita Luka, etj., treguan që ishin të reja në moshë, por të rritura para kohe në mendime…!

Këtë veprim e mori vesh Lekë Previzi (kushëriri i jem), i interrnuem, që ishte me shpirt artisti dhe më tha: -Kristina! Në asnjë mënyrë mos me e pranu vdekjen, por duhet të rezistojmë…, se do të mbijetojmë, shpreso në të ardhmen, ajo na mban gjallë…!

Kur na dërguan në internim në Savër të Lushnjes – vazhdon tregimin zonja Kristinë – morëm leje nga polici i qendrës së Savrës, leje për të dalur në qytetin e Lushnjes. Ecnim rrugës, në çdo çast ktheja kokën prapa, me dukej se më ndiqte, ai, polici. Në Savër më bëhej apeli dy herë në ditë, në mëngjes e në mbrëmje.

Kaluan vitet, jam në Myzeqe – vazhdon tregimin Kristina – e punonim në kanalin me ujë, ishin motrat Kaloshi (Avidana e Dozia), Veronika Dosti dhe unë. Ishte dhjetor, binte shi. Duke kaluar mbi kolektor, Veronika kaloi, ndërsa unë rashë në ujë, isha duke u mbyt, sapo kisha mbushur të 20 vitet e jetës seme…, por më nxori Avidia. Në ato momente që po merrja vetin, i them shoqes -Pse më nxore? Pse s’më le të vdisja? Po të gjitha shoqet e mia, që dhe ato po vuanin si unë, më dhanë zemër dhe motoja jonë ishte: “-Në asnjë mënyrë me pranue vdekjen, të rezistojmë…”!

Kështu kaloi jeta e jeme. Në vitin 1974 u martova, të nesërmen më vdiq nëna. Formova familje në Shkodër me Z. Gjovalin Vata, që kishte bë njëzet vjet burg politik, një burrë me shpirt të madh e duar të arta.

Linda një djalë, burri me vdiq tue më lanë me djalin e vogël, e rrita, kjo është dhurata më e bukur e jetës teme.

E mbaroi tregimin e saje mira Kristin, që sytë e saj, e kanë ende atë ndriçimin e bukur të rinisë, ato cirkat shumëngjyrëshe të irisit të saj të jashtëzakonshme. Dhe unë që shkruaj jetën e tyre, kaloj nëpër të njëjtat hulli, jetoj ato emocione të rrugëve tona e të shtigjeve të përbashkëta…!

Çelestina Mark Gjomarkaj

Ja si tregon Çelestina, vajza tjetër e Mark Gjomarkut, që ishte dhjetë vjeçe kur e internuan.

– Një ditë polici po lexonte emrat e grave e vajzave, që do të dërgoheshin në fabrikën e tullave Vorë, gjatë leximit doli dhe emri i jem, Çelestina Markagjoni, atëherë sapo kisha mbushur të katërmbëdhjetë vjetët.

Në këtë moment, nëna e jeme, që ishte e paralizueme dhe e ulun në një karrige, që ia kishte punue Dom Nikollë Mazrreku, i cili dhe ai ishte në internim, e shkreta nënë i foli rojës: “-Mos ma hiqni vajzën, ajo është e vogël dhe mua nuk ka kush më ndihmon”. Por mue më nisën me grupin. Nëna m’u paralizue në internim. Gjithë natën rrinte tuj pritë Martën, kunatën e saj, por ajo nuk u kthye ma, e kishin arrestue.

Jeta e Çelestinës kaloi në internim, ajo thotë: -Nuk jemi ngi me ujë, domethënë na mungonte uji e jo më gjërat e tjera. Ajo nuk flet shumë, por vazhdon bisedën me mua: -Ishim të izolueme, por me të internuarit në mes vedit ishim të LIRË, ne shkonim shumë mirë, mirëkuptoheshim. U martova në Shkodër në familjen e Ndokë Halilit, linda një vajzë, që është gëzimi i jetës teme.

Në qytetet provova ç’do të thotë të jesh e vetmueme, midis njerëzve…, ishte pasojë e luftës së klasave, që vazhdoi tek ne për 46 vjet, d.m.th., afro pesë dekada, ishim fëmijë e u plakëm në komunizëm…!/Memorie.al

Go to TOP