‘Në 23 vjetët e fundit me Serbinë më shumë kemi pasë armëpushim sesa paqe’

Kryeministri Albin Kurti ka ndarë hallin e tij që ka me Serbinë edhe me ata që ndan të njëjtën ideologji politike.

Në fjalimin e tij në tubimin e socialistëve në Spanjë, duke cituar filozofin gjerman Immanuel Kant, Kurti tha se në 23 vjetët e fundit mes Kosovës dhe Serbisë më shumë ka pasë armëpushim sesa paqe.
“Sipas Kantit, një zgjidhje e vërtetë paqeje nuk është e mundur pa anuluar shkaqet ekzistuese të një lufte të ardhshme. Është e qartë, pra, se ajo që kemi pasur në 23 vitet e fundit mes dy vendeve tona është më tepër një armëpushim i thjeshtë sesa një paqe e vërtetë. Pyetja e qartë është: si t’i afrohemi paqes së vërtetë?”, ka thënë Kurti.

Kryeministri kosovar iu tha kolegëve të tij të Internacionales Socialiste se përbërësi që mungon për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor është një Serbi demokratike.

“Fatkeqësisht, fqinji ynë në veri dhe ai me të cilin Republika e Kosovës ndan kufirin më të gjatë, është ende një vend autoritar me aspirata territoriale ndaj nesh dhe me lidhje të gjera dhe të afërta me Kremlinin. Që nga mbarimi i luftës në vitin 1999, ata na kanë kërcënuar vazhdimisht me sjellje luftarake. Deri më sot, ata i mbajnë 48 instalime ushtarake dhe xhandarmërie në të gjithë kufirin e saj me Kosovën. Për më tepër, që nga shpallja e pavarësisë sonë në vitin 2008, ajo është angazhuar vazhdimisht në fushata që synojnë të minojnë shtetësinë tonë”, tha Kurti derisa e njoftoi audiencën se kohët e fundit Serbia është përpjekur të përdorë ndikimin e saj në pjesën veriore të vendit tonë për të minuar sundimin e ligjit në atë regjion”.

Derisa u zotua se do të jetë i përkushtuar në dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja, Kurti u ankua se pala me të cilën po dialogun nuk ndan të njëjtat vlera me të.

“Qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Paralelisht, unë mbetem i përkushtuar ndaj këtij dialogu të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Dialog edhe me ata që nuk ndajnë të njëjtat vlera”.

Sipas Kurtit, paqja në rajon do të mbizotërojë me një Serbi më demokratike.

“Unë besoj se forcimi i demokracisë në Serbi është përgjigjja. Kjo mund të duket si diçka me pak gjasa për disa dhe si një e vërtetë e thjeshtë për të tjerët – megjithatë, kjo është mënyra e vetme që ne dimë për të krijuar kushte për paqen afatgjatë. Me një Serbi autoritare që refuzon të pranojë krimet e luftës nga e kaluara e afërt, e lëre më të kërkojë falje për to, madje edhe një modus vivendi është e vështirë të arrihet, e lëre më një paqe e vërtetë përgjatë vijave kantiane”.

Kurti këtu u tregua optimist. Por pati edhe një thirrje për të demokratizuar Serbinë.

“Megjithatë, ne u angazhuam në dialog të hapur demokratik në Bruksel, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sepse ne besojmë se demokracia elektorale nuk është një formë pa funksion; se opozita duhet të ketë shanse reale për të fituar, se mediat nuk duhet të heshtin kurrë nga partia politike në pushtet dhe se pas hijes së demokracisë parlamentare nuk mund të ketë asnjë aleancë fron-altar që është qendra e vërtetë e pushtetit. Megjithatë, ne diskutojmë me ata që nuk ndajnë të njëjtat besime dhe që nuk kanë të njëjtin realitet. Një ndryshim demokratik në politikë është diçka që mund ta bëjë vetëm populli, por ka mënyra se si mund ta ndihmojmë atë nga jashtë. Solidariteti me forcat progresiste në vende të tjera që nuk janë ende demokratike dhe duke u treguar si shembull për botën, janë rruga përpara”.

Për të treguar se në Kosovë ka demokraci, ai mori shembull fitoren e fundit të partisë së tij.

“Republika e Kosovës është një nga vendet më demokratike në rajonin tonë. Opozita jo vetëm që mund të fitojë zgjedhjet në vendin tonë, por edhe mund të shënojë fitore plebishitare—siç kemi dëshmuar më 14 shkurt 2021. Që nga ardhja në pushtet e partisë sonë dhe pavarësisht efekteve negative nga pandemia globale COVID-19, ekonomia jonë ka arritur disa rezultate të dukshme. Për shembull, vitin e kaluar kemi pasur një rritje dyshifrore prej 10.7% të BPV-së”.

Kurti e propozoi Kosovën që të merret shembull edhe për një arsye tjetër.

“Sot ne të gjithë jemi dëshmitarë se si telashet ekonomike po çojnë në rrëshqitje demokratike edhe në pjesë të Perëndimit të zhvilluar. Në këto rrethana, përvoja e fundit e Kosovës ofron një shembull pozitiv për të kundërtën dhe një fije shprese shumë të nevojshme”.

Në fund, Kurti bëri thirrje që partitë socialiste të kenë unitet për të mbrojtur demokracinë dhe për të mos lejuar fashizmin.

“Më lejoni ta mbyll duke thënë se, të dashur miq, sot bota ka nevojë për antifashistët jo më pak se një shekull më parë. Partitë socialiste dhe socialdemokrate duhet të bashkojnë njerëz të ndryshëm në mbarë globin për një qëllim të përbashkët: të shpëtojnë planetin nga rishfaqja e valës fashiste”.

Kurti dje udhëtoi në Spanjë për të marrë pjesë në kongresin e 26-të të Internacionales Socialiste, që këtë fundjavë po mbahet në Madrid, e ku kryetar i ri u zgjodh kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Go to TOP