KRU “Gjakova” vendos reduktime të përkohshme të ujit gjatë natës
Për shkak të temperaturave të larta që, siç thuhet, kanë rritur ndjeshëm konsumin e ujit të pijshëm dhe rasteve të keqpërdorimit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se do të aplikojë reduktime të përkohshme të furnizimit me ujë gjatë orëve të natës.
Sipas komunikatës për media, reduktimet do të vlejnë çdo natë nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit, me qëllim të sigurimit të furnizimit më të barabartë për të gjithë konsumatorët gjatë ditës.
Zonat që do të preken nga këto kufizime janë: Lipovec, Gërqinë, Demjan 1, Cermjan dhe Rahovec.
KRU “Gjakova” u ka bërë thirrje qytetarëve që ujin e pijshëm ta përdorin me përgjegjësi dhe vetëm për nevoja të domosdoshme, duke shmangur çdo formë të keqpërdorimit.
“Njëkohësisht, ekipet e K.R.U. “Gjakova” Sh.A. do të jenë në terren dhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të ujit do të ndërmerren masat përkatëse, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe mbështetjen në informimin e drejtë të qytetarëve”, thotë KRU Gjakova.
