Ndarja e 2 milionë eurove për mërgatën, Kurti jep sqarime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbrojtur vendimin e Qeverisë për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore duke theksuar se masa është e domosdoshme për të garantuar ardhjen e mërgatës gjatë sezonit veror dhe për të mbështetur ekonominë e vendit.
Sipas Kurtit, subvencionimi i linjave ajrore është një praktikë e zakonshme në rajon dhe më gjerë, me qëllim nxitjen e turizmit. Ai ka shtuar se Kosova ka edhe një arsye shtesë për një ndërhyrje të tillë duke pasur parasysh lidhjen e fortë të mërgatës me vendlindjen.
Kreu i ekzekutivit ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburantit kishte krijuar rrezik për anulimin e një pjese të fluturimeve gjatë muajve korrik dhe gusht. Sipas tij, një situatë e tillë do të ndikonte negativisht si tek bashkatdhetarët që planifikojnë të vizitojnë Kosovën, ashtu edhe në ekonominë vendore.
Për këtë arsye, Kurti ka bërë të ditur se ka angazhuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe ministrin Dimal Basha, për të gjetur një zgjidhje parandaluese.
Ai ka sqaruar se fondi prej 2 milionë eurosh është dedikuar për subvencionimin e linjave që lidhin Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës Adem Jashari me destinacionet kryesore të mërgatës dhe mbulon periudhën deri në fund të sezonit veror të aviacionit, në tetor.
Kurti ka mohuar pretendimet e opozitës se bëhet fjalë për blerje biletash apo organizim të ardhjeve për qëllime zgjedhore duke theksuar se kjo është një skemë mbështetëse për të mundësuar ardhjen e mërgatës edhe këtë verë.
Në fund të reagimit të tij, ai ka përcjellë një mesazh mirëseardhjeje për diasporën: “Mërgatë, mirë se vini!”. /Kosova.info/
