Ndahet nga jeta gazetari dhe zëri i njohur i radios në Kosovë, Astrit Dushi-AGK shpreh ngushëllime
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar me pikëllim të thellë ndarjen nga jeta në moshën 55-vjeçare të Astrit (Agron) Dushit, profesionist i përkushtuar i fushës së mediave dhe një zë i njohur i radios në Kosovë.
Gjatë karrierës së tij, Dushi ka dhënë kontribut të çmuar në disa media vendore, përfshirë Klan Kosova FM, Radio KFOR, Radio Prishtina dhe Radio Paper duke lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e gazetarisë radiofonike në vend.
AGK ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij duke vlerësuar se kujtimi dhe puna e Astrit Dushit do të mbeten gjithmonë pjesë e vlefshme e medias në Kosovë. /Kosova.info/
