Ndahen çmimet për teatër, Adrian Morina e Fadil Hysaj shpallen më të mirët

Në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë, është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e teatrit. Në këtë ceremoni mori pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili edhe bëri ndarjen e çmimeve.

“jam i nderuar që sot jemi bashkë dhe po shënojmë Ditën Botërore të teatrit. Në emër tim, ministrisë dhe qeverisë u themi faleminderit  të gjithë atyre që e përbëjnë komunitetin teatror. Nga ata që i shohim shpesh, deri të ata qe i shohim me pak e që po ashtu janë të rëndësishëm”, tha ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Juria profesionale e përbërë nga: Kushtrim Koliqi, Ag Apolloni, Ilir Bokshi, Doruntina Basha dhe Ernest Malazogu, ka shqyrtuar me kujdes propozimet e pranuara për Ndarjen e Çmimeve Vjetore për Teatër për vitin 2023.

Kjo juri ka vendosur unanimisht se çmimin për shfaqjen më të mirë “1984” nga Igor Mendijsky të shkojë për Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Për qasje inovative e bashkëkohore në realizimin e njërës nga kryeveprat letrare të shekullit të 20-të, të përshtatur mjeshtërisht për skenë dhe për kontekstin shoqëror e politik” , ka njoftuar MKRS.

Çmimi për regjinë më të mirë iu nda Fadil Hysajt, për regjinë e shfaqjes ‘Fausti’ .

“Për mjeshtërinë dhe zotësinë artistike e estetike në realizimin e vizionit regjisorial të shtrirë në të gjitha segmentet e shfaqjes ‘Fausti’, të punuar mbi një dramatizim të përpiktë brenda këtij vizioni, dhe të realizuar me një kastë të shkëlqyeshme aktorësh”,  ka cvlersuar juria.

Çmimi për aktorin/aktoren më të mirë u nda për Adrian Morina për realizim të jashtëzakonshëm e të roleve të Mefistofelit te shfaqja ‘Fausti’ nga Fadil Hysaj, dhe O’Brien-it te shfaqja ‘1984’ nga Igor Mendijsky.

Ndërsa çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore në Fushën e Teatrit ju nda post mortum aktorit Muharrem Qena.

Go to TOP