Messi flet rreth pensionimit dhe rrëfen momentin e largimit nga Barcelona

Lionel Messi është duke kaluar një eksperiencë në futbollin amerikan tek skuadra e Inter Miamit. Tek ky ekip erdhi nga Paris Saint-Germani.

Pjesën më të madhe të karrierës së tij fantastike e kaloi tek Barcelona, nga të cilët u largu më 2021.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, Messi foli rreth momentit të pensionimit të tij.

“E kam të qartë që do ta ndjej momentin kur duhet të tërhiqem. Do të ndodhë kur të mos jem më në gjendje për të ndihmuar shokët e skuadrës. Unë jam një tip shumë autokritik. E di kur jam mirë, gjithashtu edhe kur ndihem keq. Kur luaj mirë dhe kur luaj keq. Nëse do të vazhdoj të bëj mirë, atëherë do të përpiqem të vazhdoj të luaj. Sepse të luaj futboll është ajo që dua. Gjithsesi, kur ta ndiej se ka ardhur momenti të largohem do të bëj, pa u ndikuar fare nga mosha. Vazhdoj të kujdesem shumë për veten. Pushoj dhe ushqehem mirë. E bëj gjithnjë e më shumë me kalimin e viteve, edhe për shkakun që futbolli është bërë shumë fizik. Dhe gjithashtu luajmë më shumë ndeshje se më parë. Sigurisht që pasi ta mbyll me futbollin aktiv do të gjej mënyrën për të realizuar rolin e ri që do të më pëlqejë. Në aspektin sportiv kam pasur fatin të realizoj gjithë ëndrrat e mia, nuk mund të kërkoj më shumë. I jam falënderues Zotit, më ka dhënë shumë. Në aspektin profesional dhe personal”, tha fillimisht argjentinasi.

Më pas, ai foli për largimin e dhimshëm nga skuadra e Barcelonës, me të cilën fitoi çdo gjë në futboll.

“Ishte e vështirë, sepse ndihesha për mrekulli në Barcelonë. Dhe nuk mendoja se do të largohesha. Nuk isha gati të ikja nga Barça, gjithçka ndodhi shumë shpejt. M’u desh të rindërtoja jetën me kalimin e ditëve. Njoha një kampionat tjetër me PSG-në, një tjetër klub dhe dhoma zhveshjeje të reja. Ishte një ndryshim që nuk po e kërkoja. Ky është shkaku pse fillimi ishte i vështirë”, e mbylli Messi.

Go to TOP