Sonte koncerti `Americana` i Filarmonisë së Kosovës
Filarmonia e Kosovës, sonte nga ora 20:30 prezanton koncertin përmbyllës të sezonit artistik 2025/2026, i cili do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Nën titullin “Americana”, ky koncert i veçantë i kushtohet muzikës amerikane dhe shënon 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Programi sjell një udhëtim të pasur përmes tingujve, ritmeve dhe ngjyrave të traditës muzikore amerikane, me vepra nga disa prej kompozitorëve më të shquar të saj, përfshirë Leonard Bernstein dhe George Gershwin, në një performancë nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Toshio Yanagisawa.
Nga energjia e qyteteve amerikane te eleganca e muzikës simfonike, “Americana” pasqyron diversitetin kulturor, kreativitetin dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që muzika amerikane ka pasur në skenën botërore. /Kosova.info/
