Nagavci: Qytetarët e kanë dhënë tri herë të njëjtin mesazh, institucionet duhet të formohen sa më shpejt

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, prioritet i vendit duhet të jetë krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja.

Sipas saj, Kosova ka nevojë për funksionalizimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, zgjedhjen e Presidentit/es dhe vazhdimin e punëve që presin zgjidhje.

Nagavci tha se qytetarët kanë votuar për institucione funksionale dhe jo për bllokada politike apo zvarritje të proceseve. Ajo vlerësoi se zgjedhjet e reja do të mund të ishin shmangur, si pas zgjedhjeve të shkurtit ashtu edhe pas atyre të dhjetorit.

“Tri herë me radhë është dhënë i njëjti mesazh: Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca më e madhe politike në vend. Mbështetja qytetare për Lëvizjen Vetëvendosje vazhdon të jetë më e madhe se ajo e tri partive tjera shqiptare së bashku”, ka shkruar Nagavci.

Ajo kritikoi partitë opozitare për, siç tha, zgjedhjen e bllokadës në vend të reflektimit politik duke shtuar se proceset e përsëritura zgjedhore kanë humbur kohë institucionale dhe i kanë kushtuar miliona euro buxhetit të shtetit.

Në fund, Nagavci theksoi se rezultati i fundit zgjedhor po e konfirmon sërish vullnetin e qytetarëve për stabilitet dhe punë duke shtuar se besimi fitohet me rezultate dhe përgjegjësi. /Kosova.info/

Go to TOP