Kosova dhe Komisioni Evropian diskutojnë zbatimin e fondeve IPA

Kosova dhe Komisioni Evropian kanë mbajtur sot takimin vjetor të Komitetit Monitorues të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA), ku u diskutua zbatimi i mbështetjes financiare dhe teknike të Bashkimit Evropian për Kosovën, si dhe avancimi i reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Takimi u bashkëkryesua nga Florim Canolli, koordinator Kombëtar për IPA-n, dhe Jiri Plecity, shef i Njësisë për Serbinë dhe Kosovën në Komisionin Evropian.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian shqyrtuan progresin në zbatimin e projekteve të financuara nga BE-ja, sfidat ekzistuese dhe prioritetet për periudhën e ardhshme. Vëmendje e veçantë iu kushtua sundimit të ligjit, reformës së administratës publike, zhvillimit të sektorit privat, reformave ekonomike, kapitalit njerëzor dhe shoqërisë gjithëpërfshirëse.

Po ashtu, u diskutua për investimet e BE-së të realizuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe programeve të Bashkëpunimit Ndërkufitar (CBC).

Komisioni Evropian vlerësoi përparimin në zbatimin e asistencës IPA dhe theksoi nevojën për realizimin në kohë të projekteve të dakorduara, në mënyrë që mbështetja e BE-së të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset. Gjithashtu, u kërkua veprim i shpejtë për projektet që përballen me sfida në zbatim.

Nga ana tjetër, Kosova riafirmoi përkushtimin për monitorim të afërt të projekteve dhe për vazhdimin e reformave të mbështetura nga Bashkimi Evropian.

Të dyja palët u dakorduan të thellojnë bashkëpunimin për të rritur efektin e asistencës së IPA-s dhe për të siguruar zbatim sa më efikas të reformave.

“Me më shumë se 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja është partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP