Cakolli: VV-ja drejt mandatit të 53-të, PDK dhe LDK në garë të ngushtë për ulësen e fundit
Eksperti i proceseve zgjedhore nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka vlerësuar se me numërimin e votave të mbetura me postë është pothuajse e sigurt se do të ketë ndryshim në shpërndarjen e mandateve në Kuvend.
Sipas tij, bazuar në trendët aktuale dhe numërimin e disa mijëra votave shtesë, Lëvizja Vetëvendosje pritet të arrijë në 53 mandate, numër që me shumë gjasë do të jetë edhe rezultati përfundimtar i saj.
Cakolli thekson se ende mbetet e paqartë se cila parti do ta humbë mandatin që do t’i shtohet Vetëvendosjes. Sipas tij, në fazën e parë të ndryshimit të mandateve, gjasat janë që Lidhja Demokratike e Kosovës ta humbë mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, ekzistojnë pak më shumë gjasa që në fund mandatin e 22-të ta humbë Partia Demokratike e Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit është jashtëzakonisht e ngushtë, ndërsa diferenca në koeficient mund të përkthehet në më pak se 100 vota në fund të procesit.
Sipas Cakollit, mandati i fundit mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht reflektojnë më shumë trendin e votimit brenda Kosovës dhe potencialisht mund ta favorizojnë PDK-në. Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të mbetet përfundimisht me shtatë mandate.
Ai shtoi se numërimi i votave me postë pritet të përfundojë më së largu gjatë paradites së nesërme, ndërsa votat me kusht deri në mesnatë. Më pas, varësisht nga numri i vendvotimeve që mund të rinumërohen me vendim të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i gjithë procesi i numërimit do të duhej të përmbyllej deri në fund të kësaj jave. /Kosova.info/
