Gashi: Kur qytetarët vdesin në rrugë, nuk është rastësi por dështim i shtetit
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me sigurinë rrugore në Kosovë duke theksuar se aksidentet e shumta nuk mund të konsiderohen rastësi apo fat i keq, por pasojë e dështimeve institucionale.
Sipas tij, debati për aksidentet rrugore nuk duhet të reduktohet në akuza politike, por të fokusohet te mbrojtja e jetës së qytetarëve.
“Kur qytetarët vdesin në rrugë, nuk është ‘rastësi’. Kur ndodhin aksidente të përsëritura, nuk është ‘fat i keq’. Është mungesë e sistemit: mungesë e kontrollit, mungesë e standardeve, mungesë e zbatimit të ligjit dhe, mbi të gjitha, mungesë e përgjegjësisë institucionale”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka kritikuar institucionet për mungesë veprimi duke thënë se shteti nuk mund të sillet si komentues i tragjedive, por duhet të marrë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për parandalimin e tyre.
Gashi theksoi se roli i institucioneve është të garantojnë sigurinë përmes parandalimit, kontrollit dhe zbatimit të ligjit, ndërsa dështimi në këto fusha përbën, sipas tij, një dështim politik dhe institucional.
“Ky është momenti për seriozitet, jo për justifikime. Për përgjegjësi, jo për alibi. Për veprim, jo për propagandë”, ka përfunduar deputeti i LDK-së. /Kosova.info/
