Nagavci nënshkruan marrëveshje me Save the Children: Fokus te arsimi gjithëpërfshirës dhe parandalimi i braktisjes shkollore

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka nënshkruar sot një Marrëveshje Partneriteti me organizatën Save the Children Kosova, e cila synon përmirësimin e qasjes dhe cilësisë në arsim për të gjithë fëmijët, me fokus të veçantë tek ata nga grupet më të cenueshme.

Ministrja Nagavci theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të barabartë, ku asnjë fëmijë nuk mbetet pas. Ajo shtoi se qëllimi kryesor është parandalimi i braktisjes dhe mosregjistrimit në shkolla, përmes ndërtimit të mekanizmave të qëndrueshëm për identifikimin e hershëm të rasteve dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme.

Marrëveshja përfshin disa komponentë kyç, si: rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e arsimit dhe të drejtave të fëmijëve; promovimi i orientimit në karrierë; ngritja profesionale e mësimdhënësve dhe stafit arsimor; investime në edukimin e fëmijërisë së hershme dhe fuqizimi i qeverive lokale dhe qendrore për të siguruar një arsim gjithëpërfshirës.

Ky partneritet me Save the Children pritet të ndikojë pozitivisht në ndërtimin e një sistemi arsimor më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në të gjithë Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP