Muzeu i Gjenocidit në Kosovë – një shtëpi e përjetshme për viktimat
Shkruan: Ismet HAJRULLAHU
Kosovës ende i mungon një muze i gjenocidit që ka kryer Serbia, gjenocid i ushtruar pa ndërprerje që nga viti 1878 deri më 1996. Historiku i gjenocidit serb ndaj kombit shqiptar fillon që nga viti 1878, gjatë pushtimit të Sanxhakut e Nishit nga ushtritë serbe, ku u vranë më se 35.000 shqiptarë, ndërsa u dëbuan 300.000 të tjerë. Vetëm gjatë “Masakrës së Vjeshtës” të vitit 1912, sipas një raporti të fshehtë të përfaqësisë austriake në Shkup, del se nga ushtria serbe janë vrarë 47.000 shqiptarë. Po në periudhën 1912–1914, u dëbuan nga trevat e veta në mënyrën më çnjerëzore rreth 302.907 shqiptarë.
Në vitet 1951–1966, nga regjimi i Jugosllavisë titiste, u dëbuan nga Kosova edhe 450.821 shqiptarë. Brenda këtyre periudhave, po të bëjmë një kalkulim të thjeshtë, del se nga Kosova Serbia i dëboi në mënyrën më barbare më se 1.030.127 shqiptarë, të cilëve nuk iu lejua të kthehen kurrë në vatrat dhe pasuritë e tyre, duke vrarë e masakruar më shumë se 1.000.000 shqiptarë.
Sa i përket gjenocidit serb të fundshekullit XX në Kosovë, shteti serb vrau më se 15.000 shqiptarë, më shumë se 90% të paarmatosur: gra, fëmijë e pleq. Po gjatë kësaj kohe janë përdhunuar më se 20.000 femra shqiptare, janë zhdukur më se 3.000 shqiptarë. Sipas një raporti të UNHCR-së, publikuar në qershor të vitit 1999, thuhet se 443.300 shqiptarë janë dëbuar me dhunë nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, 225.000 në Maqedoni, 64.000 në Mal të Zi, 20.000 në Bosnjë, 22.000 në Sanxhak, më se 15.000 në Turqi, 6.000 në Kroaci, 3.000 në Bullgari, e shumë të tjerë në vende të Evropës Perëndimore, SHBA, Australi e Kanada.
Përkufizimi i fjalës gjenocid ka të bëjë me dhunën e egër, me shfarosjen e plotë apo të pjesshme të një popullsie ose të grupeve të vogla kombëtare. Nëse ky përkufizim është i saktë, atëherë Serbia ka bërë më shumë se gjenocid. Kujtesa kolektive do të forcohej nga fotot që do të vendoseshin në ndërtesën e Muzeut.
Muzeu do t’i përcillte brezave të ardhshëm, vizitorëve të ndryshëm, llahtarinë e krimeve të shtetit serb ndaj shqiptarëve, dhe kështu do të luante rolin e memories kombëtare. Thjesht, Muzeu i Gjenocidit në Kosovë do të ishte një “shtëpi e përjetshme” për viktimat e pafajshme të shtetit serb.
Kjo “shtëpi” do të duhej të vendosej në kishën e kriminelit Sllobodan Millosheviq në oborrin e Universitetit të Prishtinës, njëjtë si në stadiumin e Nyrenbergut në Gjermani, ku prezantoheshin krimet e nazizmit.
