Mustafa: Rënia e lirisë së mediave është pasojë e pushtetit autoritar dhe mediave që humbën profesionalizmin

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij, ku Kosova shënoi një rënie prej 24 vendesh në indeksin e lirisë së mediave duke kaluar nga vendi i 75-të në të 99-in. Ai i konsideron të drejta reagimet me shqetësim që po adresohen ndaj Qeverisë Kurti duke rikujtuar se një pjesë e madhe e mediave që sot e kritikojnë këtë qeveri, dikur e ndihmuan atë të vijë në pushtet, shpesh duke tejkaluar çdo kriter etik dhe profesional.

“Qytetarët nuk votuan për rezultate konkrete, sepse ata që fituan mbi 50% të votave nuk ndërtuan asnjë fabrikë, rrugë apo shkollë, nuk sollën njohje të reja ndërkombëtare dhe nuk kontribuuan as në luftë e as në paqe për çlirimin e Kosovës – përveçse ushtruan kundërshtim me dhunë,” deklaroi Mustafa.

Ai theksoi se disa media, me të njëjtat praktika, tashmë kanë ndryshuar pozicionim duke përkrahur LDK-në, PDK-në apo AAK-në, jo për ndonjë afinitet politik, por për shkak të frikës nga, siç e quajti ai, “regjimi autoritar i VV-së”.

Mustafa kërkoi më shumë përgjegjësi profesionale nga mediat dhe mbrojti idenë se liria e fjalës dhe demokracia janë dëmtuar jo vetëm nga qeveria aktuale, por edhe nga media që kanë humbur objektivitetin dhe janë kthyer në “adhuruese politike”.

Sipas tij, pasojat e kësaj qasjeje i ndjen Kosova. /Kosova.info/


Go to TOP